Në të gjithë vendin, prej datës 22 shtator ka nisur fushata e vaksinimit antigrip.
Me shpërndarjen e 280 mijë dozave të vaksinës, të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të parët që janë vaksinuar janë personeli mjekësor në vend.

Kryeministri Edi Rama, përcolli sot në rrjetet sociale, videomesazhin e shefes së ISHP-së, Eugena Tomini, e cila ndau thirrjen për të gjithë qytetarët që ta kryejnë vaksinën antigrip, e cila është falas dhe mund të aplikohet në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin.
Për qytetarët që për shkak të sëmundjeve kronike nuk mund të paraqiten në qendra shëndetësore, mjekët dhe infermierët po ofrojnë vaksinimin edhe në shtëpi nëpërmjet kujdesit shëndetësor në banesë.
Tomini u shpreh se me fillimin e sezonit të vjeshtës, infeksionet respiratore janë edhe më të pranishme.
“Qeveria shqiptare dhe MSHMS ka siguruar 280 mijë doza të vaksinës ndaj gripit sezonal. Personat obezë, grupet e riskut siç janë personat me sëmundje kardiake, diabet, hipertensioni, personat që jetojnë në kolektive madhore, Policia e Shtetit, mësuesit, personeli shëndetësor që është në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientin, sigurisht gratë shtatzëna, fëmijët mbi gjashtë muaj, të gjithë duhet ta kryejnë këtë vaksinë”, tha Tomini.
Shefja e ISHP-së, theksoi se risia e këtij viti është fakti që nëpërmjet platformës e-Albania, qytetarët mund të bëjnë rezervimin për të lënë orën dhe datën e caktuar për të aplikuar vaksinën e gripit.
Tomini përsëriti thirrjen për vaksinim të popullatës, për një sezon më të mbrojtur, me sa më pak forma të rënda të sëmundjes së gripit, gjë që do të minimizonte edhe çdo rast humbje jete.
“Aktualisht, gjithë mjekët e familjes bëjnë njoftimin e pacientëve që të vaksinohen. Është bërë vaksinimi edhe i personelit shëndetësor sepse kjo është një formë shumë e mirë mbrojtjeje për veten, familjarët por nuk rrezikohen as pacientët nga influenca sezonale”, u shpreh Tomini.
Një qytetar i moshës së tretë, u shpreh në video se prej 62 vitesh kryen vaksinën antigrip, si e vetmja mbrojtje nga viruset sezonale që qarkullojnë me uljen e temperaturave.
Sipas udhëzimeve të MSHMS, vaksina antigrip mund të bëhet nga personat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, ata me probleme të sistemit kardiovaskular, të sistemit pulmonar dhe të sistemit renal. E këshillueshme është që vaksina të bëhet edhe nga gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës mbi gjashtë muajsh.











