Në Australi, një grua 50-vjeçare, Erin Patterson, është shpallur fajtore për vr*sjen e tre të afërmve të bashkëshortit të saj të ndarë, të cilëve u kishte shërbyer qëllimisht kërpudha helmuese gjatë një darke familjare. Juria në Gjykatën e Lartë të shtetit të Viktorias dha verdiktin pas gjashtë ditësh diskutimesh, në përfundim të një procesi 9-javor që ka mbajtur të tërë vendin nën tension. Patterson rrezikon burgim të përjetshëm – vendimi për dënimin do të jepet në një seancë të ardhshme.
Darka fatale
Ngjarja daton në korrik të vitit 2023, në Morwell, rreth 150 kilometra në lindje të Melburnit. Erin, nënë e dy fëmijëve, organizoi një drekë për ish-bashkëshortin Simon, prindërit dhe xhaxhallarët e tij. Marrëdhënia mes çiftit ishte përkeqësuar kohët e fundit për shkak të çështjeve të kujdestarisë. Simon refuzoi ftesën, por prindërit e tij Don dhe Gail Patterson, si dhe xhaxhai e halla – Heather dhe Ian Wilkinson – pranuan.
Për darkën, Erin përgatiti mish “Beef Wellington” me garnitura tradicionale. Por në vend të kërpudhave të zakonshme, ajo përdori llojin vdekjeprurës “Amanita phalloides”, i njohur ndryshe si “kërpudha e vdekjes”. Don, Gail dhe Heather humbën jetën pas një jave agonie nga kolapsi i organeve, ndërsa Ian mbijetoi pasi kishte ngrënë vetëm një sasi të vogël.
Procesi dhe provat tronditëse
Fillimisht, Patterson pretendoi se përdorimi i kërpudhave ishte një aksident. Por kjo mbrojtje u rrëzua nga provat e shumta, përfshirë kërkimet në kompjuterin e saj për kërpudha helmuese. Mediat e përshkruan si një grua “të ftohtë, të pamëshirshme dhe të pamatur”. Gjatë darkës, ajo kishte inskenuar një situatë emocionale, duke u thënë të ftuarve se ishte diagnostikuar me kancer dhe kërkonte këshilla për ta njoftuar fëmijët – diagnozë që më pas rezultoi e rreme.
Rreziku për burgim të përjetshëm
Mediat australiane e kanë quajtur këtë proces “gjyqi i shekullit për kërpudhat”. Pas një sërë dëshmish dhe analizash, juria e shpalli Erin Patterson fajtore për vrasje me dashje. Gjykata do të caktojë së shpejti datën për shpalljen e dënimit. Patterson përballet me burgim të përjetshëm, ndërsa do të ketë 28 ditë kohë për të paraqitur një apel.