Aksident i rëndë në Fier/ Përplasen dy mjete, marrin para çobanin bashkë me delet

Një aksident ka ndodhur pak minuta më parë në Suk 1, në Roskovec. Sipas informacioneve paraprake, aksidenti ka ndodhur në aksin rrugor rural Marinzë-Suk 1, ku dy automjete tip Benz janë përplasur me njëra-tjetrën dhe si pasojë e goditjes së fortë ka mbetur i plagosur një çoban.
Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Fier ku ka ndërruar jetë, teksa të dëmtuar kanë mbetur dhe drejtuesit e automjeteve.
Gjithashtu, janë dëmtuar 30 krerë dele.
Ndërkohë, në vendngjarje ka mbërritur policia dhe grupi hetimor, i cili po kryen të gjitha veprimet procedurale për të zbardhur shkaqet e aksidentit në fjalë.
Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 18:00, në aksin rrugor Berat-Roskovec, në fshatin Suk 1, automjeti me drejtues shtetasin Q. M., është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin K. A.
Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit është bërë ndërprerja e rrugës nga disa bagëti të imëta.
Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë shtetasi F. G, i cili po kalonte bagëtitë e imëta në rrugë, ku disa krerë bagëti kanë ngordhur, po si pasojë e përplasjes.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.



