Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me vrasjen tragjike të shqiptares Ilaria Sula në Itali, nga ish-i dashuri i saj, Mark Samson. Hetuesit kanë gjetur një mesazh të shkëmbyer mes vrasësit dhe miqve të tij, ku ai flet për ndarjen me Ilarian.
“Ose të kthehet tek unë ose do ta vras”– u shkruante Mark shokëve të tij, duke treguar kërcënimin për Ilarian.
Pasi u godit me thikë, trupi i saj, i fshehur në një valixhe, u braktis më pas në një përrua pranë Via Homs. Prokuroria e Romës e akuzon të riun për vrasje me dashje të rënduar nga paramendimi. Sipas hetuesve, analiza e mesazheve të shkëmbyera nga Samsoni me disa miq do të zbulonte një plan të qartë për vrasjen e saj. I riu është marrë përsëri në pyetje, ndërsa nëna e tij po hetohet gjithashtu për bashkëpunim në fshehjen e një kufome.
Sipas hetuesve, Samsoni u përpoq gjithashtu të devijonte hetimin nëpërmjet bisedave, duke u shtirur si Ilaria me shoqet e viktimës.
“Sofi, nuk e di nëse do të bëj ndonjë budallallëk, por do të shkoj në shtëpinë e një djali që takova në rrugë”, thuhet në bisedat e nxjerra nga hetuesit.