Ish-ministrja e jashtme Elisa Spiropali ka komentuar vendimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen e Belinda Ballukut, duke theksuar se qëndrimi i saj ishte që Partia Socialiste duhej të ndryshonte qasjen ndaj pushtetit dhe të mos ndiqte të njëjtën mënyrë veprimi si në raste të mëparshme që përfshinin institucionet e drejtësisë.
E ftuar në një studio televizive Spiropali u shpreh se analiza politike dhe informacionet që dispononte e kishin çuar në përfundimin se duhej një ndryshim qëndrimi, ashtu siç kishte ndodhur edhe në raport me SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë.
Ajo theksoi se përgjegjësia politike për vendimet e qeverisë i takon kryeministrit Edi Rama, duke shtuar se vendimi i tij, sipas vlerësimit të saj në atë kohë, dëmtonte Partinë Socialiste, qeverisjen dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Ishte një sfidë nga ana ime për aktin dhe kjo në atë kohë pa filluar protestat edhe nëpër studiotua diskutohej si diçka që vinte nga asgjëja. Unë po ju them që analizat e asaj kohe, informacionet që unë kisha, por edhe ndjesia dhe i prita politike më çonte te analiza që ne duhet të ndryshonim, duhet të ndryshonim qasjen ndaj pushtetit ashtu siç faktikisht ndryshuam qasjen ndaj organeve të drejtësisë. Pra ishte një thyerje e mënyrës se si ne kishim vepruar në raste të tjera kur SPAK-u dhe institucionet e drejtësisë kishin vepruar.
Zoti Rama është kryeministri i vendit, Edi Rama dhe sigurisht që përgjegjësia politike e akteve të tilla bie mbi kryeministrin. Unë nuk kam ndërmend të flas për një njeri që sot është në hall dhe nuk Absolutisht dhe secili duhet të përballet me drejtësinë, ashtu duhet të përballet me arsyet e veta, duhet të përballet me mëkatet e veta e të tjera.
Por unë po them diçka tjetër, që në këtë moment duket se zgjedhja që kishte bërë kryeministri me këtë vendim dëmtonte Partinë Socialiste, dëmtonte qeverisjen e vendit, dëmtonte integrimin europian të Shqipërisë, i cili ne të gjithë ishim marrë dhe mbi të gjitha ato sillte në të ardhmen e afërt jo si arsye e vetme, por si arsye e rëndësishme për vepra të rënda në reagimin qytetar,” tha Spiropali.













