Deputetja Elisa Spiropali ka komentuar zhvillimet e brendshme në Partinë Socialiste, duke shpjeguar rrjedhën që çoi në përjashtimin e saj nga kjo forcë politike. Në një intervistë në emisionin “Opinion” në Tv Klan teksa foli edhe për largimin nga detyra si ministre e Jashtme, ajo hodhi poshtë pretendimet se kishte tentuar të organizonte një lëvizje për rrëzimin e kryeministrit Rama. Sipas saj “narrativa e puçit” u sajua për të zhvendosur vëmendjen. “Për arsyet se përse u hoqa si ministre e Jashtme duhet të pyesni kryeministrin. Pyetja është se përse largohen njerëzit, pa iu dhënë atyre arsye zyrtare e publike.

U sajua një narrativë e tërë, për ‘puçin e famshëm’, ku në vend që të mbahej përgjegjësi për çështje të caktuara, u sajua një narrativë e tërë puçi, që sikur unë paskam pasur qëllim largimin e kryeministrit Edi Rama”, tha ajo, duke shtuar se si ministre e Jashtme ka mbrojtur interesin shtetëror dhe kombëtar. Spiropali i mëshon qëndrimit të saj se në Partinë Socialiste ka nevojë për reformim dhe reflektim, ndërsa artikulon së “partia-shtet” duhet të marrë fund. “PS është një aset kombëtar i Shqipërisë. Është një parti progresiste, pulsi i së cilës rreh nga e ardhmja. A ka tendenca të kthehet në kohë mbrapa? Po, ka dhe ka nevojë për reformim. Duhet të marrë fund partia-shtet. Nuk mund të vazhdojmë që të mbahemi në pushtet nga dobësia e opozitës. PS ka nevojë për një reflektim”, u shpreh Spiropali.

Një koment pati edhe për etiketimet që i janë bërë shpesh duke e quajtur “Mamica”, por nga ana tjetër mohoi që ta ketë quajtur Ramën “Skënderbe”. “Unë jam quajtur ‘Mamica’, por mediat e kanë tepruar me krahasimin. Nuk e kam quajtur ‘Skënderbe’ Ramën, por e kam respektuar si kryeministër, pa diskutim. Kur nisi protesta e flamingove, por edhe pak më herët, deklarova se ky është momenti për të qëndruar në anën e duhur të historisë. Unë kam hedhur kritika, atëherë kur pakkush guxonte ta bënte këtë”, deklaroi Spiropali. Ndërkohë Kryeministri Edi Rama ka folur për përplasjen me Elisa Spiropalin me një gazetar shqiptar të Maqedonisë së Veriut në podcastin “Rishtazi”. Rama u shpreh se tashmë Spiropali është një njeri i lirë në jetën politike dhe nuk është më e detyruar të ndjekë atë dhe Partinë Socialiste. Kryeminsitri pranoi kundërshtitë, por kjo sipas tij, nuk e dëmton të vërtetën, përderisa e vërteta flet për veten e vet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts