Një vajzë e moshës 21-vjeçare u ngujua në një apartament në një pallat në Astir këtë të enjte, dhe gazetari Marin Meçi ka dhënë detaje mbi këtë ngjarje.
Gazetari tha në ‘Opinion’ se vajza ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe pas disa orësh i është marrë një dëshmi. Ajo rrëfeu se mbrëmjen e djeshme ka qenë nën shoqërinë e 5 personave, 2 vajzave dhe 3 djemve. Vajzat, sipas gazetarit, janë shoqëruar nga policia, ndërsa po kërkohet të shoqërohen edhe djemtë.
21-vjeçarja është shprehur se ka qenë e rrezikuar pasi personat që kanë qenë me ta kanë qenë të armatosur.
“Ka rrëfyer se në banesë prej mbrëmjes së djeshme ka qenë nën shoqërinë e 5 personave të tjerë, dy vajzave dhe tre djemve. Nuk ka arritur t’i identifikojë të gjithë duke u shprehur se nuk i kujton personat në fjalë, vetëm dy vajzat ka identifikuar.
Të paktën nga informacionet që unë kam ato pak minuta më parë janë shoqëruar nga policia, ndërkohë për tre djemtë është shprehur se mund t’i identifikojë në momentin që mund t’i shohë.
Ajo pretendon se nuk është dhunuar, por kujton se kanë qenë me armë personat në fjalë dhe ka qenë e rrezikuar gjatë gjithë kohës që qëndronte me ta. Këto deklarime janë vërtetuar edhe me verifikimet që janë bërë me pamjet filmike dhe personat janë identifikuar tashmë dhe po kërkohen për t’u shoqëruar”, u shpreh Maçi.
Gazetari tha se mbetet për t’u parë nëse vajza ka qenë gjatë gjithë natës nën efektin e lëndëve narkotike apo nëse është abuzuar me të./oranews.tv