Puntata e parë e “Ka Një Mesazh Për Ty” në këtë sezon të ri të programit “E Diela Shqiptare” u çel me Indritin. Ai vjen nga Italia ku jeton prej 22 vitesh dhe ka një familje të bukur me dy vajza e bashkëshorten.

Për 44 vite, Indriti ka besuar në një tjetër realitet. Ai ka jetuar 21 vite në Bolenë të Vlorës ku dhe  mendonte se ishte lindur, ndonëse e vërteta ishte ndryshe. Në këto vite, Indriti u rrit nga dy prindër që i plotësonin gjithçka brenda atyre mundësive modeste që kishin, e trajtonin me dashuri të shumëfishtë sa ai e quante veten “princi i vogël”.

Kjo zgjati derisa një ditë, tabloja e këtij realiteti në dukje perfekt, u thye nga një fjali e vetme.

Indrit: Një ditë, një bashkëfshatar atje dhe t’ia hedhim pak fajin sepse kishte pasur probleme penale dhe shëndetësore, i shket goja dhe thotë që “ti nuk je fëmija i vërtetë i babait tënd dhe mamasë që quhen Nuri dhe Sanie, por je fëmijë i ardhur”. Fjalia e parë që dëgjoja pas këtyre viteve, edhe pse isha i vogël, e kuptova dhe më qëndroi rëndë.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe?

Indrit: Duhet të kem qenë rreth 7-8 vjeç. Shkoj në shtëpi, jo me nxitim apo se çfarë ndodhi kushedi, por shkoj në shtëpi dhe direkt pyes mamanë, i them që kështu-kështu filani, më përmendi këtë fjali, a është e vërtetë? Ajo direkt u mërzit pak, u prek dhe tha menjëherë që “ti e njeh personin, e njohim edhe historinë e tij, çfarë thotë sot s’e thotë nesër, edhe problemet që ka pasur kështu që nuk  mund t’ia vëmë veshin prandaj ta anashkalojmë dhe rri i qetë se kjo është gjë që nuk ekziston”. Aty u ndieva prapë…

Ardit Gjebrea: U çlirove.

Indrit: U çlirova dhe vazhdova jetën time. Pastaj episode të ndryshme ndodhën edhe me shokët pao shoqet e shkollës duke përsëritur një si tip kënge mund ta themi që ndoshta o ndonjë prind i  papërgjegjshëm ose ndonjë prind pak egoist sepse atëherë ishte ajo, egoizmi jo në mënyrën e keqe, përbuzja duke mos menduar lëndimin e një fëmije…

Ardit Gjebrea: Ajo që sot quhet bullizëm.

Ardit Gjebrea: Si të bullizonin?

Indrit: Duke shprehur si tip kënge, e bënin “o Indriti i vogël, të ka blerë babi në Shkodër, sa lekë, 5 lekë”, diçka e tillë që nuk kishte lidhje  fare por të vriste kjo gjë, të vriste jashtë mase.

Indriti shton se më vonë nuk i pyeti më prindërit e tij rreth kësaj teme pasi e shihte që kjo i vriste e njëkohësisht mendonte që kishte një jetë të mrekullueshme me ta.

Për vite me radhë, Indriti ka njohur një tjetër jetë për veten. Ai ndan kujtimet e një fëmijërie të lumtur në Vlorë, të mbushur me shumë dashuri, rritur në gjirin e një familjeje modeste por që i falte gjithçka kishte.

Rreth moshës 7-8 vjeç, një bashkëfshatar i hodhi një fjalë të rëndë duke i thënë “fëmijë i ardhur”. Indriti nuk ia vuri veshin, por në shkollë ishin fëmijët ata që i kishin sajuar një këngë duke ngacmuar pikërisht  përkatësinë e tij ndaj familjes. Sërish Indriti zgjodhi të mos pyeste më prindërit, por të vazhdonte gjithçka si më parë.

Por në kujtimet e tij, edhe pse i vogël, ai mban mend një makinë që erdhi ta merrte nga Shkodra e ta çonte në Vlorë, rrugën dhe një pyetje së cilës nuk ka hezituar t’i përgjigjet.

Indrit: Ata kanë vuajtur 18 vite për të pasur një fëmijë.

Ardit Gjebrea: Pra ata të adoptuan ty dhe ndërkohë provonin që të bënin një fëmijë.

Indrit: Po. Isha 10 vjeç, vjen në jetë motra ime nga prindërit aktualë. Kjo qe surpriza më e madhe e familjes.

Ardit Gjebrea: Ah sa bukur!

Indrit: Edhe për ata, por edhe për mua. Pastaj një detaj tjetër që mbaj mend kur kam qenë i vogël…daja i babait tim ka qenë njeri i ngritur këtu në Tiranë, kishte potencën e tij që mund të bënte diçka dhe e falenderoj shumë edhe pse nuk jeton më, kishte atë kulturën e madhe dhe edukatën sa i përket birësimit  dhe u thotë prindërve që “ju nuk mund të vazhdoni më të vuani, por do të birësojmë një fëmijë”. I ka shoqëruar vetë në Shkodër dhe ka ndodhur pastaj mrekullia që më birësuan mua, me një makinë që nuk e mbaj mend saktë makinën sepse ato kohë ashtu ishin dhe e mbaj mend pjesën e rrugës që kemi bërë, por jo të gjithën. Kjo ka qenë një gjë e bukur…

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ke qenë?

Indrit: Duhet të kem qenë rreth 4-5 vjeç.

Ardit Gjebrea: Pra, në momentin  që ti le Shkodrën, Shtëpinë e Fëmijës ke qenë 4-5 vjeç dhe ti e ke ende atë imazhin e atij udhëtimi që ke bërë nga Shkodra për të shkuar drejt Vlorës ku jetonin prindërit e tu. Çfarë mban mend nga kjo gjë?

Indrit: Mbaj mend që më mbante afër mamaja dhe daja, edhe ai më mbante me përkëdheli. Mbaj mend që më ka pyetur mamaja a ndoshta kam thënë unë që “kush është mamaja jote”, ndoshta  ndojë edukatore atje dhe unë kam thënë direkt që ja mamaja ime! Duke thënë këtë, ata nuk hezituan por thanë “kjo është mrekullia  jonë”.

Për vite me radhë, Indriti jetoi me idenë se kishte lindur në një familje në Bolenë të Vlorës ndonëse një kujtim, thuajse si vegim i ndërmendte rrugën nga Shtëpia e Fëmijës në Shkodër e deri ku kaloi fëmijërinë.

Më pas, në pika të ndryshme të jetës së tij, detyrohej të vendosej përpara së vërtetës. Nga takimet mjekësore deri te një shofer që kishte punuar dikur në Shtëpinë e Fëmijës ku ai ishte marrë, e vërteta  e gjente gjithnjë rrugën për mos ta lënë të qetë.

Më në fund, Indriti vendosi të kërkonte ndihmën e “Ka Një Mesazh Për Ty” për të mësuar atë për të cilën nuk kishte pranuar ta fliste me askënd apo të pyeste prindërit adoptues. Ai ka arritur të mbledhë vetëm disa të dhëna për familjen biologjike dhe identitetin e tij, të cilat i rendit një e nga një.

Indrit: Nusja ka tentuar se kurioziteti, me mamanë time. Duke tentuar 2-3 herë, edhe tetorin e kaluar por edhe tani prapë dhe mamaja i thotë që “në radhë të parë unë jam dakord dhe më bën çudi që Indriti aq  kurioz nuk më ka pyetur asnjëherë” dhe nusja i thotë që “edhe mua më anashkalon pikërisht sepse nuk do që t’ju lëndojë”. I thotë që babai quhet Pjetër Çenaj dhe më duket me origjinë nga Dibra, por janë transferuar në atë kohë që kanë ndenjur në Shkodër. Edhe mamaja është quajtur Sadije dhe në mos gaboj, mamaja duhet të jetë.

Ardit Gjebrea: Ty të kishin thënë që mamaja ka vdekur?

Indrit: Po, gjatë lindjes, që nuk ekziston.

Ardit Gjebrea: Dhe ty sa herë që të ndodhte një gjë?

Indrit: Po, edhe kjo është e vërtetë sepse unë shikoja gjëra, mrekullira sepse unë jam shumë besimtar dhe lusja gjitthmonë Zotin, por nusja më thoshte që jo, s’ka mundësi, duhet të kesh besim që janë të mëdhenjtë tanë por ka edhe një engjëll që të mbron ty, duke më ngacmuar, thosha ndoshta po,  “sigurisht që është mamaja jote që të ndihmon ty, të hap dritën”, po i thosha, e shikoj se gjithmonë më realizohen gjërat, edhe pse s’është e lehtë në jetë, realizohen gjërat.

Ardit Gjebrea: Pra ky ishte momenti kur ti e lidhje atë mrekullinë që të ndodhte në  jetë me engjëllin mbrojtës, mamanë tënde që nuk jetonte më dhe erdhi një moment që zbulove që mamaja jote jeton.

Indrit: Domethënë, jeton me pikëpyetje ishte sepse nuk ishte gjë e vërtteë.

Ardit Gjebrea: Të paktën që s’kishte humbur jetën në lindje.

Indrit: Po, s’kishte humbur jetën në lindje dhe ishte ky dyshimi që  çfarë është kjo, pse dalin gjërat ndryshe?

Ardit Gjebrea: Po për emrin tënd kishe dëgjuar ndonjë gjë?

Indrit: Posi, emrin tim ma kanë hedhur Françesko duke më quajtur shkurt Çesk dhe pastaj kur kam ardhur në shtëpinë time në Bolenë, një nip i babait më ka quajtur Indrit, lidhet me episodin e birësimit që “erdhi një dritë në shtëpi dhe ne do t’ia hedhim emrin Indrit sepse e ndriti këtë shtëpi”, ndaj ma hodhën këtë emër që është ndërruar.

Ardit Gjebrea: Këto janë të gjitha të dhënat e tua.

Indrit: Po, këto janë të gjitha të dhënat e mia.

Ardit Gjebrea: Nuk i ke të gjitha gabim.

Indrit: Shpresoj që jo.

Ardit Gjebrea: Se vërtet emrin e ke pasur Çesk dhe ne mamanë ta kemi gjetur.

Moderatori Ardit Gjebrea i komunikon Indritit se nëna e tij ka ardhur dhe do të jetë në studio pas pak.  Fillimisht ai do t’i dëgjojë vetëm zërin sepse ajo nuk e di që Indriti është i pranishëm. Gjithashtu ajo do të ndajë historinë e saj dhe motivin e fortë për të cilin është detyruar ta lërë në Shtëpinë e Fëmijës 44 vite më parë.

Pasi mësoi se nëna e tij biologjike është gjallë, erdhi momenti që Indriti të mësojë historinë e saj dhe pse ai përfundoi në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër. Në studio hyn Sadija, e cila pa e ditur se i biri gjendet në anën tjetër të ekranit, nis të ndajë historinë e saj. Njëkohësisht, Indriti mundet t’i dëgjojë vetëm zërin fillimisht.

Sadija nis të tregojë sesi në moshën 16-vjeçare u martua me një djalë. Në moshën 19-vjeçare erdhi në jetë djali i saj i madh që sot është 46 vjeç dhe vuan nga epilepsia. Në moshën 20-vjeçare, Sadija vendosi të ndahej nga ky bashkëshort sepse e dhunonte dhe ajo përfundoi në shtëpinë e prindërve.

Djali ishte 2 vjeç kur u zhvendos atje dhe më pas i ati i Sadijes u nda nga jeta prej një infarkti në zemër. Gjendja ekonomike e familjes ishte e vështirë dhe ia dilnin me shumë mundime.

Në moshën 22-vjeçare, Sadija u  njoh me një djalë që punonte si shofer autobusi. Aty ku u duk se mund të rigjente dashurinë, mbeti shtatzënë dhe ai e braktisi.

Sadije: U njoha me këtë djalin, ngela shtatzënë, këta ishin katolikë e unë myslimane, filluan sherri e debatet ky me njerëzit e vet dhe më tha mua “mos të të vijë keq, nuk do familja”.

Ardit Gjebrea: Ti si e more vesh që ishe shtatzënë?

Sadije: Pas ca kohësh i them nënës jam shëndoshur shumë. Thotë nëna “hajde të të çoj të të vizitoj” se më ka vdekur një motër me leucemi, 50 vjeçe. “Merre Mozën”, për motrën, “e shkoni” tha. Erdhi edhe nëna, kur i tha mamia “është 5 muajshe shtatzënë”. Nëna u shtang, ngeli, ishte edukatore në çerdhe, tha “vajzë, dili jetës përballë”. Thashë fëmijën nuk e heq, unë rrugëve do rri, fëmijën  nuk e heq se më vjen gjynah se vetë e desha, me zor s’më bëri kush, ai doli i pabesë, unë e mbajta djalin. Linda në maternitet të Shkodrës. E mbajta një ditë në dorë e s’e gjeta më pastaj. Kalova azotemi, tre muaj në Tiranë te një doktor i huaj,Tefik, ai më ka shëruar se kalova azoteminë pas  lindjes. Familja s’më pranoi më në shtëpi.

Ardit Gjebrea: S’të pranoi më familja?

Sadije: S’donin, thoshin “ku do e çosh ti, po vuan për bukë me fëmijën tjetër, të mbajmë edhe këtë, gjynah ta lësh të vuash”.

Me gjithë mospranimin e familjes së saj dhe faktit që do të jetonte në rrugë, Sadija ishte e vendosur për ta mbajtur fëmijën. Ajo ishte e gatshme të vdiste në çfarëdo kushti, por jo të abortonte ose braktiste të birin. Mjerisht, kaloi vetëm një natë me të dhe prej 44 vitesh, nuk e di se cili është fati i tij e zemra i djeg nga dhimbja.

Sadije: Atë e ruajttë Zoti! Kam mall sot ta shoh, t’ia puth duart e këmbët! Ta di që është gjallë se më thoshin ka vdekur në atë kohë. Shkova të pyesja, thoshin “nuk jeton fëmija yt”. Kam shkuar në Fier, në Pogradec, ku s’më kanë gënjyer njerëzit, me ato halle që kisha kam shkuar. S’e gjeta kund. Pastaj isha vetëm, me një fëmijë të sëmurë, djalin e kam me epilepsi, 46 vjeç se i dyti ka lindur më 30 tetor 1980. Emrin ia kam vënë unë, Çesk.

Ardit Gjebrea: Çesk ia vure?

Sadije: Çesk ia kam vënë djalit, vetë. Çesk Çela, nëna Sadije, unë jam. Ta dijë që jam mirë, le të jetojë i lumtur, le të vdes se unë me unaza në zemër jam, le të vdes, nuk prish punë.

Historia e Sadijes, nënës biologjike të Indritit nuk ka qenë aspak e lehtë. Pasi mësoi se ajo jeton, Indriti u shpreh se nuk e paragjykon për arsyet që ai përfundoi në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër sepse mendonte që do të kishte  një motiv të fortë e në të vërtetë, kështu ndodhi.

Kur mësoi papritur se ishte 5-muajshe shtatzënë, Sadija ishte e vendosur për ta mbajtur djalin edhe pse familja ishte kundër. Ajo kaloi vetëm një ditë me të në maternitet e më pas vetë u shtrua në Tiranë për tre muaj për shkak të azotemisë. Të birin s’e pa më, edhe pse e kërkoi gjithkund për 44 vite.

Sadija shton se emri që ajo i vuri ishte Çesk. E vetmja dëshirë e saj është ta shohë njëherë të vetme dhe më në fund ka ardhur dita që t’i realizohet.

Sadije: Atë e ruajttë Zoti! Kam mall sot ta shoh, t’ia puth duart e këmbët! Ta di që është gjallë se më thoshin ka vdekur në atë kohë. Shkova të pyesja, thoshin “nuk jeton fëmija yt”. Kam shkuar në Fier, në Pogradec, ku s’më kanë gënjyer njerëzit, me ato halle që kisha kam shkuar. S’e gjeta kund. Pastaj isha vetëm, me një fëmijë të sëmurë, djalin e kam me epilepsi, 46 vjeç se i dyti ka lindur më 30 tetor 1980. Emrin ia kam vënë unë, Çesk.

Ardit Gjebrea: Çesk ia vure?

Sadije: Çesk ia kam vënë djalit, vetë. Çesk Çela, nëna Sadije, unë jam. Ta dijë që jam mirë, le të jetojë i lumtur, le të vdes se unë me unaza në zemër jam, le të vdes, nuk prish punë.

Ardit Gjebrea: Po prit, ku do të vdesësh ti? Tani që të kemi gjetur djalin do të vdesësh ti?

Ndërsa qan me dënesë, pranë saj afrohet moderatori Ardit Gjebrea i cili i rrëfen për jetën e të birit: si u adoptua në Shkodër dhe shkoi në Vlorë, shenjat që e përndiqnin Indritin gjatë jetës, ngacmimet për prindërit e tij, emigrimin e deri momentin kur vendosi t’i drejtohej programit. Më në fund, Gjebrea i thotë se i biri ndodhet pas ekranit në studio dhe Sadija shpreh dëshirën për ta parë. Nënë e bir shihen për herë të parë pas 44 vitesh.

Sadije: Zemra e nënës!

Ardit Gjebrea: Tani se nuk duhet të bëjmë shumë xheloze nënën tjetër që e ka rritur…

Sadije: Jo, jo s’ka gjë, faleminderit…

Ardit Gjebrea: Po bëj shaka! Ai tani ju ka të dyjave, të ka edhe ty, ka edhe nënën e tjerë se edhe ajo që e ka rritur…

Sadije: Posi, faleminderit shumë që ma ka bërë djalin burrë! O Zot ruaje!

Po aq i emocionuar, Indriti ngrihet dhe shkon drejt nënës së tij që i jep një përqafim të mbetur në pritje prej vitesh.

Leave a Reply

Related Posts