Julian Deda, aktori i njohur i humorit, ka reaguar ashpër pas shkarkimit të Altin Bashës nga posti i drejtorit të Teatrit Kombëtar. Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Deda shprehet se pas largimit të Bashës, duhet të fillojnë menjëherë hetimet për abuzimet që ai ka kryer gjatë mandatit të tij.

Aktori akuzon Basha për një sërë shkeljesh, përfshirë keqpërdorimin e fondeve të teatrit dhe përfitimet personale që, sipas Dedës, çuan në shkarkimin e tij. Ai thotë se shkarkimi nuk është i mjaftueshëm dhe kërkon që drejtësia të veprojë, duke e çuar çështjen deri në fund.

Në video, Deda vë në dukje se shumë aktorë kanë lënë spektaklin e njohur “Portokalli” për shkak të konflikteve me Bashën, duke e akuzuar këtë të fundit se ka mbështetur shembjen e Teatrit Kombëtar në këmbim të postit të drejtorit.

“Vjen një ditë dhe të kthehet mbrapsht çdo gjë që ti ke pretenduar të bësh dhe çdo gjë që ti ke bërë në kurriz të tjerëve. Nga viti 2008 e mbrapa, dikush për arsye të tij, shumica e aktorëve kanë ikur nga Portokallia sepse nuk janë marrë vesh me zotërinë. Dhe ja ku jemi sot pasi dikush e bleu dhe i premtoi diçka këtij zotërisë këtu, doli pro shembjes së teatrit. Më vonë, ne morëm pse ky doli pro shembjes së teatrit. Sepse ai u bë drejtor i Teatrit Kombëtar.

Dhe atje vazhdoi me abuzimet, siç ka abuzuar dhe në TVSH, por ato do dalin më vonë, me njëfarë shfaqje Fustanella. Ka abuzuar me fondet e teatrit. Pra me pak fjalë një hajdutëri e madhe e cila sot konkretizohet me shkarkimin e tij dhe bashkë me të dhe bashkëshortja e tij. Unë shpresoj që drejtësia mos ta leje me kaq. Për sa kohë është shkarkuar për abuzim me fonde, do të thotë që kemi të bëjmë me vjedhje. Dikush ta hetojë dhe ta çojë punën deri në fund”, thotë ai ndër të tjera.

Leave a Reply

Related Posts