Editorial nga Vladimir Muçaj:
Kur uniforma bëhet grusht ndaj qytetarit!
E kam ndjekur për tre dekada këtë vend, me gjithë krizat, tranzicionet, shpresat dhe zhgënjimet që i kanë lënë gjurmë në çdo brez. Kam parë shumë të rinj që ikin, kam parë shtetin të rrëzohet e ringrihet, kam parë dhunë, por ajo çfarë ngjau sot në Vlorë nuk është thjesht një lajm i zakonshëm i kronikës së zezë. Është një akt që na flet shumë më tepër se ç’duket.
Një djalë 18-vjeçar, kamarier që punon me ndershmëri në një lokal, goditet barbarisht nga një efektiv policie vetëm sepse – mbani frymën – ngatërroi porosinë për një shishe uji. Dhe ky “klient” nuk ishte një qytetar i zakonshëm që humbi durimin. Jo. Ishte një njeri me armë, me uniformë, me gradë, që përfaqëson shtetin. Kjo është e patolerueshme. Dhe nëse sot heshtim, nesër nuk do të kemi më as shtet, as etikë, as frikë nga ligji. Sepse një polic që dhunon qytetarin jashtë shërbimit, vetëm pse mendon se është “i paprekshëm”, është më i rrezikshëm se çdo kriminel i zakonshëm. Ai është një rrugaç me stemë në kraharor.
Kjo ngjarje duhet të shërbejë si kufi moral për të gjithë. Për mediat, për qytetarët, për politikën, për drejtësinë. Ka ardhur momenti që të thuhet troç: brenda radhëve të Policisë së Shtetit ka ende elementë që nuk kanë asnjë lidhje me vlerat e shërbimit publik e komunitar. Kanë hyrë me mik, me ryshfet, me mbështetje politike apo krahinore. Dhe sot, i trajtojnë qytetarët si shërbëtorë të tyre. E kjo duhet të ndalet.
E kam ndjekur me vëmendje reagimin e Kryeministrit dhe të Drejtorit të Policisë. Është një sinjal i mirë që pezullimi ndodhi menjëherë. Por nuk mjafton. Në një shtet serioz, një efektiv që dhunon një qytetar për një shishe uji duhet të jetë jo vetëm i pezulluar, por i përjashtuar përgjithmonë dhe i ndjekur penalisht deri në fund. Sepse nuk mund të ketë kompromis me figurën e policit. Ai nuk është “njeriu i fortë” i lagjes. Ai është shërbëtori i ligjit. Dhe nëse ligji kthehet në grusht kundër qytetarit, atëherë jemi të gjithë të pambrojtur.
E kam ndjekur me vëmendje reagimin e Kryeministrit dhe të Drejtorit të Policisë. Është një sinjal i mirë që pezullimi ndodhi menjëherë. Por nuk mjafton. Në një shtet serioz, një efektiv që dhunon një qytetar për një shishe uji duhet të jetë jo vetëm i pezulluar, por i përjashtuar përgjithmonë dhe i ndjekur penalisht deri në fund. Sepse nuk mund të ketë kompromis me figurën e policit. Ai nuk është “njeriu i fortë” i lagjes. Ai është shërbëtori i ligjit. Dhe nëse ligji kthehet në grusht kundër qytetarit, atëherë jemi të gjithë të pambrojtur.
Ky vend ka bërë reforma të thella në administratë. Janë larguar qindra nëpunës për shkelje etike, për konflikt interesi, për korrupsion. Pse të mos ndodhë e njëjta gjë edhe në polici? A nuk është kjo strukturë më delikatja, më e ndjeshmja, më e rrezikshmja nëse nuk kontrollohet siç duhet? Nuk ka më vend për efekte kozmetike. Policia ka nevojë për një spastrim të vërtetë të brendshëm, ku secili punonjës të kalojë përmes filtrit të integritetit moral dhe profesional. Kush nuk e kalon, të largohet. Pa ankesa, pa ndërhyrje, pa justifikime.
Unë jam rritur me atë brez policësh që ecnin rrugës me kokën ulur, të heshtur, por të respektuar. Sot, për fat të keq, shohim uniforma që përdoren për të bërë presion, për të shfaqur forcë, për të shfryrë mllefe personale. Dhe kjo nuk mund të jetë më norma. Ka ardhur koha që të ndryshojmë rrënjësisht mënyrën se si përzgjidhen dhe mbahen në detyrë punonjësit e rendit. Sepse, ndryshe nga një mjek që gabon në diagnozë apo një mësues që lexon keq emrin në regjistër, një polic që dhunon qytetarin nuk ka bërë gabim teknik – ka tradhtuar besimin.
Prandaj, ky editorial nuk është vetëm për një rast në Vlorë. Është për gjithë ata qytetarë që ndihen të vegjël, të pambrojtur, të frikësuar përballë një strukture që duhet t’i mbrojë, jo t’i kërcënojë. Është për ata djem e vajza që punojnë ndershëm dhe nuk kanë mbrojtje tjetër përveç ligjit. Është për atë kamarier të ri, që me gjasë sot është me qepje në kokë, por me një plagë shumë më të thellë në shpirt: se u rrah nga ai që duhej ta mbronte.
Në një vend normal, kjo ngjarje do të ishte kthyer në një çështje kombëtare. Ne nuk jemi ende aty. Por nëse e kalojmë edhe këtë si një lajm që harrohet pas tre ditësh, atëherë kemi nënshkruar heshtur dorëzimin përballë arrogancës së uniformës së keqpërdorur. Dhe ky do të ishte rasti më i rëndë, më i pafalshëm dhe më i turpshëm.