Matilda Bega, vajza e aktorit të njohur Met Bega, ka reaguar me nota të forta nostalgjie dhe kritike ndaj kinemasë shqiptare të pas viteve 2000. E ftuar në “Top Story”, ajo deklaroi se refuzon të shikojë filmat shqiptarë të sotëm, duke i quajtur të banalizuar dhe të zhveshur nga vlerat që karakterizonin artin para viteve ’90.
“Këta artistë janë të pavdekshëm. Nuk do t’i kthehen më Shqipërisë. Kam shkuar në kinema, kam parë filma shqiptarë… refuzoj t’i shoh, nuk i afrohen absolutisht!” – u shpreh ajo.
Sipas Matilda Begës, banaliteti dhe reklamat e shfrenuara kanë zëvendësuar mjeshtërinë, skenarët e menduar dhe interpretimet autentike të dikurshme. Ajo kujtoi se më parë për një film punonin muaj të tërë, me mbështetje financiare të plotë nga shteti, duke theksuar se humori ishte i pastër, pa fyerje e vulgaritet.
Ajo mbylli intervistën me një mesazh të qartë: “Ata aktorë nuk vijnë më. Ishin njëherë në histori.”