Vranësira dhe reshje shiu, si do të jetë moti gjatë ditës së sotme

Vendi ynë do të ndikohet këtë të shtunë nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me vranësira dhe reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit.
Sipas parashikimit meteorologjik, reshjet pritet të jenë me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të vendit. Ndërkohë, përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe në jug të territorit, në intervale të shkurtra kohore, shiu mund të intensifikohet deri në nivel mesatar, duke u shoqëruar me shtrëngata afatshkurtra.
Era parashikohet të fryjë kryesisht nga drejtimi juglindje-jugperëndim, me një shpejtësi mesatare prej 6 m/s. Në vijën bregdetare dhe në zonat luginore, era herë pas here mund të forcohet, duke arritur shpejtësi deri në 16 m/s.
Sa i përket kushteve detare, valëzimi në dete parashikohet të jetë i forcës 2-3 ballë.





