Sezoni veror/ Operatorët turistikë denoncojnë reduktimin e hapësirave publike në Pogradec

Me nisjen e vendosjes së stacioneve të plazhit për sezonin veror në qytetin e Pogradecit, kanë ardhur edhe kundërshtimet e para nga operatorët turistikë dhe qytetarët.
Dritan Hoxha, administrator i një biznesi dhe operator turistik në zonë pretendon se këtë vit është reduktuar ndjeshëm sipërfaqja e plazheve publike në vijën liqenore të qytetit.
Sipas tij, përgjatë rreth dy kilometrave plazh, qytetarëve u kanë mbetur në dispozicion vetëm 11 metra plazh publik. Hoxha shprehet se në zonën ranore janë miratuar tre leje për stacione plazhi dhe beach bare duke e konsideruar këtë situatë si konkurrencë të pandershme dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga operatori turistik lidhet me një hapësirë rekreative të krijuar prej vitesh në plazhin publik, ku ishte vendosur një rrjetë volejbolli për përdorim falas nga të rinjtë dhe pushuesit. Sipas Hoxhës, pas përcaktimit të zonës si plazh privat, atij i është kërkuar largimi i rrjetës.
Nga ana tjetër, sipas një komunikimi zyrtar me Drejtorinë e Taksave në Bashkinë Pogradec në hartën e plazheve të miratuara për këtë sezon parashikohen tre parcela publike dhe tre parcela private ndërsa sipërfaqet mbeten të pandryshuara krahasuar me vitin e kaluar.



