Shpërthimi me 6 të lënduar në Lezhë, flet i afërmi i familjes: Kushëriri martonte nesër vajzën e vëllait! Fillimisht kujtova se u ça ndonjë gomë kamioni

Një bombël gazi shpërtheu mbrëmjen e sotme në banesën e familjes Kola në Markatomaj të Lezhës, duke lënë të lënduar 6 pjesëtarë të familjes.
Të afërm të familjes Kola (kushërinj) kanë folur për mediat, duke thënë se anëtarët e familjes Kola që mbetën të plagosur, kishin ardhur në Shqipëri për dasmë, pasi nesër do të martohej vajza e vëllait të Saimir Kolës (i cili mbeti më rëndë i lënduar nga shpërthimi).
Po ashtu, i afërmi i familjes Kola tha se fillimisht kishte kujtuar se kishte shpërthyer një gomë kamioni, por më pas u informua nga një shok për ngjarjen. Ai tregoi gjithashtu se bombola e gazit që shpërtheu ishte vendosur jashtë banesës.
“Nuk e di orën në të cilën ndodhi. I kemi kushërinj. Këta jetojnë në Itali. Kanë ardhur për pushime dhe kanë pasur një dasëm, martonin vajzën e vëllait. Unë mendova se është ndonjë gomë makine e tonazhit të rëndë dhe thashë kurrgjë tjetër, kur më mori një shok e më tha ‘ika se është lënduar Saimir, ka plasur një bombol’. Bombola ka qenë jashtë”, tha një prej të afërmve të familjes Kola.




