Policia nis hetimet për trajtimin e 19-vjeçarit të dëmtuar gjatë protestës, pezullohen 5 efektivë

Policia e Shtetit ka nisur verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit të 19-vjeçarit L. B., i cili u shfaq në një video të publikuar në media, teksa shoqërohej nga punonjësit e Policisë pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital, pasi kishte mbetur i dëmtuar në këmbë.
Pas publikimit të pamjeve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë dhe shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K.
Ndaj tyre ka nisur hetimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale. Gjithashtu, është ngritur një grup i posaçëm për të verifikuar dhe analizuar veprimet e punonjësve të Policisë gjatë gjithë tubimit, nga fillimi deri në përfundim të tij, si dhe për të shqyrtuar nëse janë zbatuar procedurat standarde të punës.
Në reagimin zyrtar, Policia e Shtetit thekson se çdo punonjës që ka shkelur procedurat ose ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.
Në reagimin e saj, Policia dënon gjithashtu aktet e dhunshme të regjistruara gjatë protestës në kryeqytet, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës, duke theksuar se këto veprime nuk kanë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë.
Policia u bën thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune e shkatërrimi t’i ndalin menjëherë veprimet e tyre, ndërsa qytetarëve u kërkon të distancohen nga personat e dhunshëm për të garantuar sigurinë personale.





