Një ngjarje që mund të kishte përfunduar në tragjedi është regjistruar në lagjen “Apollonia” në Fier, ku një depozitë uji me peshë 5 tonë është shkëputur nga tarraca e një pallati 8-katësh dhe ka rënë në hapësirën publike.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, si pasojë e erës së fortë. Depozita ka përfunduar në një shesh pushimi, ku ndodhen një lulishte dhe një shatërvan, hapësirë e frekuentuar nga kalimtarët.
Fatmirësisht, në momentin e rënies së depozitës nuk ka pasur persona në afërsi dhe incidenti nuk ka shkaktuar të lënduar.
Ndërkohë, shqetësim mbetet edhe një depozitë tjetër e ngjashme, e cila ndodhet ende në tarracën e pallatit. Po kryhen verifikime për të parë nëse ajo është e sigurt dhe nëse ekziston rreziku i shkëputjes.
Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Ndërmarrjen e Gjelbërimit dhe Parqeve, po punon për largimin e depozitës së rrëzuar nga trotuari.













