Në periudhën e verës, me temperaturat gjithnjë e më të larta, një nga fenomenet më të rrezikshme është goditja nga nxehtësia. Është një gjendje që mund të prekë këdo të ekspozuar ndaj temperaturave të larta në një mjedis me rrezatim të fortë diellor, lagështi të lartë dhe ajrim të paktë. Më në rrezik mbeten fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët nga zemra. 

Çfarë është goditja nga nxehtësia?

Hipertermia ose goditja nga nxehtësia është një gjendje patologjike e trupit që ndodh kur njeriu ekspozohet për një periudhë të gjatë ndaj temperaturave të larta, të cilat rrisin temperaturën e trupit, i cili përfundon duke thithur shumë më tepër nxehtësi sesa është në gjendje të lëshojë jashtë përmes djersës. Shpesh njerëzit ngatërrojnë goditjen nga dielli me goditjen nga nxehtësia që janë dy gjëra të ndryshme.

E para ndodh kur trupi, dhe veçanërisht koka, ekspozohet drejtpërdrejt ndaj rrezeve të diellit. Goditja nga nxehtësia mund të ndodhë edhe në ambiente të mbyllura. Simptomat janë të ngjashme, pasi edhe ekspozimi në diell shkakton rritje të temperaturës së trupit. Për më tepër, mund të shkaktojë djegie të lëkurës, skuqje të syve, si dhe çrregullime të lidhura me bllokimin e enëve të gjakut për shkak të rrezatimit diellor.

Goditja e papritur nga nxehtësia, cilat janë simptomat?

Simptomat janë të ndryshme. Marramendje, dhimbje koke, rritje e temperaturës së trupit, ngërçe dhe në raste më serioze, madje edhe humbje të vetëdijes. Kohëzgjatja e simptomave varet nga ashpërsia e goditjes nga nxehtësia, por edhe nga faktorë të tillë si mosha dhe gjendja fizike e personit të prekur. Zakonisht, nëse nuk ndodhin komplikime, koha e rikuperimit është 24 ose maksimumi 48 orë. Nëse një person afër nesh shfaq simptomat e goditjes nga nxehtësia, duhet ta çojmë menjëherë në një vend me hije dhe të ajrosur. Nëse i bie të fikët, duhet ta vendosni në tokë, të shtrirë dhe me këmbët e ngritura më lart se trupi. Më pas, jepini lëngje jo shumë të ftohta në gllënjka të vogla. Nëse nuk përmirësohet brenda tridhjetë minutave, është më mirë të shkoni në urgjencën më të afërt.

Si të parandaloni goditjen nga nxehtësia?

Shmangni daljet gjatë orëve më të nxehta, në periudhën kohore midis orës 11:00 dhe 16:00. Ajrosni mjedisin ku ndodheni dhe përpiquni të mos lëvizni vazhdimisht nga mjediset më të nxehta në ato më të freskëta dhe anasjelltas. Vishni rroba të lehta, me ngjyra të hapura dhe përdorni kremra mbrojtës kundër diellit për të shmangur skuqjet dhe djegiet e lëkurës. Pini shumë ujë dhe konsumoni një dietë të pasur me fruta dhe perime./oranews.tv

Leave a Reply

Related Posts