U deshën 13 vite pritje, por GTA 6 po thyen rekorde/ Ja sa para ka gjeneruar loja që në ditën e parë

Grand Theft Auto 6 (GTA 6) është shndërruar në një nga lançimet më të mëdha në historinë e industrisë së argëtimit, duke regjistruar mbi 24.5 milionë njësi të shitura përmes porosive paraprake dhe shitjeve në ditën e parë.
Sipas vlerësimeve të platformës analitike Sensor Tower, video loja ka gjeneruar rreth 2.36 miliardë dollarë të ardhura, pas një pritjeje prej 13 vitesh nga fansat.
GTA 6 është prodhuar nga Rockstar Games dhe zhvillohet në Leonida, një shtet imagjinar i frymëzuar nga Florida. Historia ndjek dy personazhe të rinj, Lucia dhe Jason, të cilët përfshihen në botën e krimit.
Kostoja e zhvillimit të lojës vlerësohet të ketë kaluar 1 miliard dollarë, duke e renditur atë ndër projektet më të kushtueshme në historinë e videolojërave.
Sipas Sensor Tower, rreth tre të katërtat te shitjeve janë realizuar në PlayStation 5, ndërsa pjesa tjetër në Xbox. Ndërkohë, kompania kërkimore Niko Partners parashikon që GTA 6 të gjenerojë mbi 3 miliardë dollarë të ardhura në mbarë botën gjatë këtij viti.
Rockstar pritet të përfitojë edhe më shumë në vitet e ardhshme, veçanërisht pas publikimit të versionit për PC dhe zgjerimit të shumëpritur multiplayer, i cili do t’u mundësojë lojtarëve të ndërveprojnë online.
Lançimi i lojës ka shkaktuar interes të jashtëzakonshëm, duke thyer edhe rekordin e trafikut të internetit në mbrëmje të Virgin Media O2, ndërsa lojtarët u përpoqën të shkarkonin skedarin gjigant prej 212 GB.











