Parashqevi Simaku po kalon ditë të vështira. Ndonëse u duk se gjendja e këngëtares u përmirësua, njerëzit pranë saj kanë zbuluar të vërtetën. Elton Ilirjani ka ngritur shqetësimin për gjendjen e këngëtares Parashqevi Simaku, duke deklaruar se ajo rrezikon të mbetet sërish e pastrehë, nëse nuk ndërhyhet urgjentisht.

Në një intervistë në “Opinion”, Ilirjani u shpreh se situata e artistes nuk ka pësuar asnjë përmirësim gjatë 11 muajve të fundit dhe se, sipas tij, Parashqevia nuk po merr trajtimin dhe mbështetjen e nevojshme. Ai bëri thirrje për ndërhyrje institucionale, duke theksuar se çështja nuk mund të zgjidhet vetëm me donacione të rastësishme, por kërkon angazhim konkret nga shteti shqiptar.

“Parashqevia është në situatën më të vështirë, sepse kanë kaluar 11 muaj dhe nuk ka asnjë përmirësim. Ajo nuk merr as mjekim, doli nga spitali, nuk është mirë. Një njeri që rri gjithë ditën në shtëpi, nuk ka motivim, që thotë ‘inteligjenca artificiale më ndau’. Ajo është e ndarë por nuk pranon që është e ndarë. Përveç ‘GoFund’ përpara 11 muajsh, ajo nuk ka marrë asnjë ndihmë tjetër. Unë mendoj që ndihma ime ka qenë maksimale, duke folur dhe me persona që kanë ofruar shtëpi këtu në Kavajë, ajo që i duhet asaj është ndihma e shtetit shqiptar, për të bërë të mundur që të shkojë dhe të marrë mjekimin dhe të bëjë letrat, të bëjë ID-në amerikane, të bëjë ID-në shqiptare, dikush të vijë dhe të merret me këtë zonjë”, – u shpreh Ilirjani.

Kujtojmë që në vitin e shkuar, të shumtë ishin ata që u ofruan për të ndihmuar këngëtaren e njohur shqiptare. Madje, në një pikë të caktuar të situatës, ndërhyri edhe shteti, duke bërë me dije se do të asistonte që gjithçka që i duhej këngëtares, madje edhe në pajisjen me dokumentacionin përkatës. Por, pas pothuajse një viti, duket se diçka e tillë nuk ka ndodhur ende. Nuk dihet nëse ambasada shqiptare në SHBA ka kontaktuar me Simakun, apo njerëzit që janë pranë saj, por sipas asaj që thotë Ilirjani, e vetmja ndihmë që ka marrë deri më tani, ka qenë ajo e disa njerëzve pranë saj.

Kontrata e qerasë, ku banon këngëtarja përfundon në janar të 2026, çfarë edhe mund të rikthejë sërish Parashqevinë në një të pastrehë. Ndonëse kaloi një periudhë kohe në spital, mesa duket shërimi i saj ende nuk është arritur. Me të dal nga spitali, Ilirjani u shpreh në atë kohë, se gjendja e këngëtares ishte më e mirë. Por kur kanë kaluar disa muaj artistja mesa duket po përballet me probleme të rënda të shëndetit mendor. Në rrjet, ditët e fundit, ka qarkulluar edhe një status, nga një adresë me emrin e saj dedikuar djalit.

Në të shkruhej se përgjatë këtij viti, ajo kishte komunikuar 3 herë me djalin e saj Luke. Por në fakt, kjo adresë nuk administrohet as nga Parashqevia, dhe as nga njerëzit pranë saj. Në këtë periudhë që ajo ka lënë spitalin, pas takimit që u pasqyrua në media, ajo nuk është takuar më me Luke, duke mos pasur as edhe komunikim mes tyre. Ndërkohë që Ilirjani ka bërë thirrje për ti ardhur në ndihmë artistet, deri më tani nuk ka pasur reagime, as nga institucionet dhe as nga personalitete.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts