E ashtuquajtura reformë në drejtësi jo vetëm që nuk solli standarde të tjera më të larta, por mjerisht asgjësoi edhe standarde që ishin vendosur ndër vite.
Të gjithë kujtojnë se si dikur për deklarime të forta, që bëheshin në studio televizive nga gazetarët, përfaqësuesit e drejtësisë shkonin direkt pas emisioneve për të marrë të dhëna për këto denoncime bile gazetarëve ju janë marrë edhe celularët.
Ndërsa sot bëhen denoncime të tmerrshme me dokumente autentike me fakte e prova dhe drejtësia me regji mbyll sy e veshë sikur s’ka ndodhur asgjë.
Të gjithë panë se një pensionist punëtor ka marrë koncesionin 60 milionë euro të portit të Vlorës dhe drejtësia rri e vështron.

Drejtësia mbyll sytë ndërsa u jepen leje ndërtimi për kulla dhjetëra katëshe që kushtojnë dhjetëra milionë euro personave që kanë të ardhura disa qindra euro dhe ku pastrimi i parave ulërin në mes të ditës.
Drejtësia me regji izolon liderat e opozitës me akuza imagjinare dhe pa fakte e prova ose edhe i rrëmben në mes të rrugës siç ishte rasti i presidentit Meta, ndërsa kryehajdutët e qeverisë të akuzuar për afera qindra milionë euro bredhin të pashqetësuar nëpër Europë dhe vazhdojnë të firmosin vjedhje të tjera qindramilionëshe.
Është e tmerrshme të shohësh rrugë që shemben dhe shqepen menjëherë pas inaugurimit, inceneratorë që paguhen megjithëse nuk ekzistojnë, ura që nuk ndërtohen dhe ju merren paratë sikur janë ndërtuar dhe sërish drejtësia, që nuk lëviz gishtin.
Është akoma më e tmerrshme të shohësh kryeministrin Rama, që shpraz moral gjithë ditën ndërsa dhjetëra fakte, prova e dokumente rëndojnë mbi të që nga McGonigal, kontaktet me Sinaloan, Becchetti, inceneratorët, tuneli i Llogarasë, shkatërrimi i zgjedhjeve etj, por sërish drejtësia me regji që hesht duke betonuar standardin mafioz të pandëshkueshmërisë.
Është gjithashtu e tmerrshme të shohësh se si rrëmbehen mandatet e Gjykatës Kushtetuese apo se si vidhet vota edhe në Gjykatë të Lartë si në qendër votimi fshati të largët.
Narkoreforma në drejtësi rrënoi çdo standard dhe moral, që gjeti dhe vendosi moralin e pacipësisë dhe standardin e pandëshkueshmërisë.
Ndaj përballë këtij realiteti çdo llafazani vendas dhe të huaj, që flet për sukseset imagjinare të kësaj narkoreforme i duhet treguar vendi pa asnjë hezitim dhe kompleks.
Kjo narkoreformë ka tronditur thellë themelet e shtetit të së drejtës dhe ka vendosur standardin e drejtësisë në krah dhe për pushtetin në vend të barazisë përpara ligjit dhe drejtësisë që përballet me pushtetin.












