Prej 11 ditësh blegtori Ardian Skënderaj në njësinë administrative Levan të Fierit po përballet me një situatë të vështirë ekonomike.
Sasi të mëdha qumështi i kanë mbetur stok, pasi fabrikat e përpunimit kanë refuzuar ta grumbullojnë, duke pretenduar praninë e aflatoksinës.

Përballë mungesës së tregut për produktin e tij, Skënderaj është detyruar të reduktojë fermën. Brenda rreth 10 ditësh ai ka shitur 25 krerë lopë, pasi nuk ka më mundësi të përballojë kostot e mbajtjes së tyre.
Kjo situatë nuk prek vetëm një fermë. Dhjetëra blegtorë të tjerë në zonën e Levanit po përballen me të njëjtin problem, duke i dhënë një goditje të fortë sektorit të blegtorisë në këtë zonë, e njohur tradicionalisht për prodhimin blegtoral.
Rënia e blegtorisë në Levan është bërë edhe më e dukshme vitet e fundit. Pas viteve ’90, kjo zonë numëronte rreth 40 tufa me bagëti të imëta, me nga 500 deri në 700 krerë secila. Sot, sipas blegtorëve, kanë mbetur vetëm rreth 5 tufa.
Sipas fermerëve, rritja e kostove të prodhimit, çmimi i ulët i qumështit dhe mungesa e mbështetjes po i detyrojnë shumë prej tyre të braktisin blegtorinë.
Nëse kjo situatë vijon, blegtorët paralajmërojnë se një nga traditat më të rëndësishme ekonomike të zonës së Myzeqesë rrezikon të tkurret edhe më tej./lajmipare.com

















