OBSH-ja ka bërë thirrje për vigjilencë të shtuar pas zbulimit të rastit të 12-të me hantavirus në Holandë, i lidhur me shpërthimin në anijen turistike holandeze MV Hondius.
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi gjatë një konference për shtyp në Gjenevë se të gjitha vendet duhet të vazhdojnë monitorimin e pasagjerëve që ndodheshin në bordin e anijes dhe të respektojnë masat e karantinës.

Sipas OBSH-së, rasti i fundit është konfirmuar te një anëtar holandez i ekuipazhit, i cili ndodhet në izolim. Me këtë rast, numri total i të infektuarve ka arritur në 12, ndërsa deri tani janë regjistruar tre viktima, shkruan A2CNN.
Tedros theksoi se nuk është raportuar asnjë vdekje e re që nga 2 maji, kur shpërthimi u raportua për herë të parë në OBSH. Ai shtoi se mbi 600 kontakte në rreth 30 vende vazhdojnë të monitorohen.
Edhe autoritetet holandeze konfirmuan se personi i infektuar është dërguar në spital si masë paraprake. Instituti Kombëtar Holandez për Shëndetin Publik dhe Mjedisin (RIVM) njoftoi se pacienti ishte izoluar në shtëpi dhe se testet pozitive janë konfirmuar nga dy laboratorë të ndryshëm.
“Rreziku për përhapje të mëtejshme në Holandë mbetet shumë i ulët”, deklaroi RIVM.
Anija turistike MV Hondius ishte nisur më 1 prill nga Ushuaia në Argjentinë, përpara se të vazhdonte itinerarin drejt Kepit Verde dhe Tenerife në Ishujt Kanarie./A2CNN
















