Vendi

Incidente, lëndime dhe arrestime/ Media greke pasqyron përshkallëzimin e situatës: Protestat studentore kundër Ramës përhapen në të gjithë vendin

Jehona e protestave të studentëve dhe të rinjve në Shqipëri ka kaluar kufijtë, duke tërhequr vëmendjen e mediave të huaja. Demonstratat kundër qeverisë, që kanë përfshirë Tiranën dhe disa qytete të tjera të vendit, po pasqyrohen edhe në mediat ndërkombëtare, të cilat raportojnë për zgjerimin e protestave, bojkotin e mësimit dhe përplasjet me policinë.

Mes mediave që i kanë kushtuar vëmendje zhvillimeve në Shqipëri është edhe media greke “Protothema”, e cila shkruan se protestat antiqeveritare po përhapen çdo ditë në më shumë qytete, ndërsa të premten situata u përshkallëzua me përplasje të reja me policinë, dëmtime të ndërtesave publike dhe raportime për persona të lënduar.

Sipas raportimeve të mediave shqiptare, nxënës të shkollave të mesme dhe studentë universitarë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë në shtatë qytete: Lezhë, Shkodër, Burrel, Laç, Elbasan, Korçë dhe Vlorë.

Në disa prej këtyre qyteteve, protestat po zhvillohen për të dytën ditë radhazi, ndërsa në Burrel dhe Laç janë regjistruar tubime që prej fillimit të valës së demonstratave. Të rinjtë po protestojnë kundër situatës ekonomike dhe mungesës së perspektivës në vend, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në Korçë, ku në protestë janë mbledhur kryesisht nxënës të shkollave të mesme, të rinjtë kanë ngritur shqetësimin se Shqipëria nuk u ofron një të ardhme të sigurt, duke vënë në dukje pagat e ulëta dhe pasigurinë në tregun e punës.

ARTIKULLI Përplasjet në Lezhë dhe raportimi për një nxënëse të lënduar

Media greke ndalet edhe te incidentet e regjistruara në Lezhë, ku protestuesit janë përplasur me forcat e policisë. Sipas raportimeve të mediave shqiptare, tensionet u shtuan pasi një grup protestuesish tentoi të hynte në ambientet e bashkisë, por nuk ia doli.

Më pas, u raportuan dëmtime në godinën e një shkolle të mesme, ku u thyen xhama, si dhe dëmtime të kangjellave dhe sinjalistikës rrugore. Gjatë përplasjeve, disa protestues dyshohet se hodhën gurë në drejtim të policisë.

Sipas të njëjtave raportime, një nxënëse u lëndua në fytyrë pasi u godit nga një gur gjatë incidenteve. Pas përshkallëzimit të situatës, drejtues të policisë urdhëruan tërheqjen e efektivëve, me qëllim shmangien e përplasjeve të mëtejshme me të rinjtë.

Sulm ndaj zyrave të Partisë Socialiste në Shkodër

Incidente janë regjistruar edhe në Shkodër, ku një grup të rinjsh kanë sulmuar për të dytën ditë radhazi zyrat e Partisë Socialiste. Sipas mediave shqiptare, protestuesit kanë hedhur gurë drejt dritareve të godinës, ndërsa policia ka ndërhyrë për të ndaluar sulmin. Paralelisht, një grup adoleshentësh ka vijuar marshimin në rrugët e qytetit, ndërsa protestuesit kanë bllokuar edhe një rrethrrotullim, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Tensione në Elbasan, Korçë dhe Laç

Në Elbasan, ku nxënësit e shkollave të mesme kanë bojkotuar mësimin për të dytën ditë radhazi, protestuesit u kanë vënë flakën disa kazanëve të mbeturinave. Ndërkohë, në Laç është raportuar për dëmtime në Pallatin e Kulturës, ku janë thyer xhamat e godinës. Në Korçë dhe Burrel janë zhvilluar gjithashtu protesta, ndërsa mediat shqiptare raportojnë për arrestime pas incidenteve të regjistruara.

Përhapja e protestave në qytete të ndryshme tregon zgjerimin e mobilizimit të nxënësve dhe studentëve, ndërsa situata mbetet e tensionuar.

Bizneset në Tiranë ulin qepenat nga frika e incidenteve

Në kryeqytet, protestuesit janë mbledhur sërish pranë Ministrisë së Arsimit, pas disa ditësh demonstratash dhe përplasjesh. Në zonat ku pritet të kalojnë protestuesit, shumë biznese kanë ulur qepenat nga frika e dëmtimeve të mundshme. Pronarët e bizneseve u kanë bërë thirrje protestuesve të shmangin shkatërrimin e pronës private. Një tregtar, biznesi i të cilit ishte dëmtuar një ditë më parë, është parë duke mbledhur xhamat e thyer dhe duke u përpjekur të riparonte dëmet.

Sipas raportimeve të mediave shqiptare, ai ka shprehur mbështetje për studentët dhe kërkesat e tyre, por ka kundërshtuar format e dhunshme të protestës që prekin bizneset e vogla.

Rama viziton bizneset e dëmtuara: Këto zjarre nuk janë të studentëve

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka vizituar bizneset e dëmtuara nga zjarret dhe incidentet e natës së kaluar në Tiranë. Në një postim në rrjetet sociale, ai ka shprehur solidaritet me pronarët e prekur dhe ka premtuar mbështetjen e qeverisë për familjet që kanë pësuar dëme.

Rama i ka cilësuar dëmet si shkatërrim të punës dhe mundit të familjeve të zakonshme, ndërsa ka argumentuar se aktet e dhunës nuk përfaqësojnë kërkesat e nxënësve dhe studentëve. Kryeministri ka akuzuar opozitën se po përpiqet të shfrytëzojë protestat për të nxitur dhunë, duke ngritur pretendime edhe për përfshirjen e aktorëve të huaj, të cilët, sipas tij, synojnë të pengojnë rrugën evropiane të Shqipërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button