Shumë njerëz po përdorin hudhër për të trajtuar aknet. Së fundmi tre ekspertë, Ketaki Bhate, dermatologe konsulente në Self London; Shereene Idriss, dermatologe e certifikuar dhe Emily English, nutricioniste dhe themeluese e Epetōme kanë folur për Vogue. Për të tre ekspertet vendosja e hudhrës në lëkurë nuk është një ide e mirë. Dr.Bhate shpjegon se kjo mund të shkaktojë irritim apo edhe djegie kimike, që mund të lënë shenja pas inflamacioneve.

Dr. Idriss thotë se aplikimi i hudhrës drejtpërdrejt në lëkurë nuk mund të shërojë aknet. Ajo shton se “shumica e videove online ku njerëzit përdorin hudhër për të ‘shëruar’ aknet e tyre tregojnë individë me akne hormonale, që më shpesh kërkojnë medikamente me recetë.” Është shumë e rëndësishme të trajtohet shkaku themelor për të minimizuar efektet anësore të padëshiruara, siç janë shenjat afatgjata.

Dr. Bhate thekson se mënyrat më të mira janë ato që përshtaten me nevojat tuaja specifike, të rekomanduara nga një dermatolog. “Lëkura e të gjithëve është kaq e ndryshme, kështu që një qasje e përgjithshme nuk është ideale,”-vëren ajo. “Në përgjithësi, unë rekomandoj produkte që janë miqësore me aknet dhe një rutinë të reduktuar, sepse shumë produkte njëherësh mund të përfundojnë duke irrituar lëkurën.”

Për raste më të lehta të akneve inflamatore, Dr. Idriss thotë se: “Acidet eksfoliante në veçanti, BHA-të si acidi salicilik mund të ndihmojnë në pastrimin e tepricës së sebumit brenda poreve për të minimizuar shpërthimet e mëtejshme. Përbërës si peroksidi i benzoilit mund të ndihmojnë në reduktimin e ngarkesës bakteriale në lëkurën tuaj. Retinoli dhe retinali janë të shkëlqyer për të ndihmuar në rregullimin e ndërrimit të qelizave.”

Ndërsa vendosja e hudhrës në lëkurë është absolutisht e papranueshme, ngrënia e saj si pjesë e një diete të shëndetshme dhe të ekuilibruar nuk është e keqe. Hudhra është një burim i shkëlqyer i vitaminave C dhe B6, manganit dhe selenit. Ajo përmban gjithashtu komponime të sulfurit, siç është alicina, që kanë veti antioksidante, anti-inflamatore dhe antimikrobike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts