Një ngjarje e rëndë që ngriti edhe njëherë alarmin për sigurinë në shkolla, ndodhi sot në Cakran të Fierit, ku një 17-vjeçar u plagos me thikë nga një shok i klasës pas debateve të nisura pas publikimit të disa fotove në rrjetin social Snapchat.
Sherri që përfundoi me përdorimin e një biçaku ndodhi mëngjesin e sotëm në ambientet e brendshme të shkollës së mesme “Mustafa Hoxha, të fshatit Cakran.
Lidhur me ngjarjen nga spitali i Fierit ku po trajtohet me ndihmë mjekësore, ka folur në një intervistë për mediat, 17-vjeçari Ydo Xhafa.
Adoleshenti ka treguar se çfarë ndodhi mes tij dhe autorit para se të niste ora e mësimit.
“Gjithçka nisi duke më bërë foto ai mua, familjes sime dhe shokëve të mi, gjithashtu dhe familjeve të atyre dhe që i kishte postuar në një rrjet social dhe i hidhte fotot në telefonat e shokëve të tij. Ka një muaj ky muhabet, nuk u mbyll me fjalë dhe jemi këtu ku jemi sot. Dhjetë minuta para se të futeshim në mësim, ai ishte te korridori i klasës, ne vemi lart dhe e kapim për pjesën e fotove dhe i themi e sqarojmë si muhabet, nëse ke foto të familjarëve të mi dhe shokëve të mi mund ti fshish dhe e mbyllim këtë muhabet këtu. Ai tha jo, telefoni është personal dhe pastaj u agravua nga pyetjet e shumta që po i bënim unë dhe disa shokë. Më pas ai reagoi duke nxjerrë biçakun. Më goditi në shpatull dhe në këmbë. Thjesht u shmanga, u futa brenda në klasë, mbylla derën. Fatkeqësisht nuk e mbaja dot derën nga ana e shpatullës dhe hapi derën. E hapi sërish me thikë në dorë. Në ato momente vjen presorja dhe më shpëtoi nga ai djali.”
I pyetur nga gazetarët se cili mund të ketë qenë motivi që shoku i klasës e plagosi, ai u shpreh: “Sepse vuante nga sëmundje besoj. Nuk ishte mirë nga trutë”.
“Sepse nuk është hera e parë që e bënte ai, e ka bërë edhe herë të tjera. Kemi njoftuar presoren dhe ka thënë lëre se vuan nga një sëmundje mendore. I kemi thënë të atit të tij. Kjo është e gjitha që ka thënë presorja dhe nëse ke ndonjë provë mund të vish këtu ka thënë. Shokët thjesht ikën. Për fat të keq. Jemi shok klase me këtë djalin”.
Sipas tij, përveç konfliktit për fotot me bashkëmoshtarin nuk ka pasur ndonjë arsye tjetër për të debatuar.
Yldo Xhafa më tej ka rrëfyer se prezenca e mjeteve prerëse ka qenë prej kohësh në shkollë, nga ana e autorit.
“Po, po. Gjithmonë e mbante me vete. E di që bën kontrollin dhe e fshehu shumë mirë.”
Adoleshenti i plagosur u pyet edhe nëse ka një apel për bashkëmoshtarët e tij, duke qenë se raste të ngjashme janë masivizuar dhe një nga më tragjikët përfundoi me vdekjen e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli”, në kryeqytet.
“Të ruajnë veten nga njerëz të tillë si puna e këtyre. Nëse kanë ndonjë provë të shkojnë te mësuesja kujdestare, te drejtoria, te policia dhe të shprehin problemin dhe të mos jenë këtu ku jam unë sot. Kjo është e gjitha”, ishte thirrja sensibilizuese e 17-vjeçarit.
Ndërkohë i tronditur është shprehur babai i 17-vjeçarit, Vasil Xhafa. Ai ka kërkuar drejtësi dhe siguri pasi sipas tij kjo mungon në shkolla.
“Jam nisur së bashku me çunin nga shtëpia nga ora 8. Unë për në punë, djali për në shkollë. Pa shkuar akoma në punë më njoftoi mësuesja dhe tha se djali është goditur pak. Urgjentisht shkoj te urgjenca e Cakranit, atje vura duart në kokë. Asgjë nuk mora vesh si ndodhi ngjarja. Dua drejtësi në vend. I kërkoj Edi Ramës mos të kërkoj llogari vetëm në Tiranën, por edhe në Cakran. Se sot është djali im, nesër është një tjetër. Nuk do e çoj më në shkollë. Nuk ka më siguri në asnjë vend”, tha ai.