“Ne nuk mund të heshtim”/ PL, ngre akuza të ashpra: Qeveri që investon vetëm te klientët e pushtetit
Sekretarja për Rininë në Partinë e Lirisë, Anisa Ibraj, ka reaguar sot ndaj projektbuxhetit të qeverisë për vitin 2026, duke e cilësuar atë si “një buxhet për klientët e pushtetit dhe interesat e një grushti njerëzish”, ndërsa sipas saj, qytetarët – veçanërisht të rinjtë – mbeten të përjashtuar nga prioritetet qeveritare.
Ibraj deklaroi se arsimi “nuk është prioritet”, duke theksuar se vetëm 2.5% e PBB-së i dedikohet këtij sektori, ndjeshëm poshtë mesatares europiane prej 5%. Sipas saj, ky nivel investimesh tregon se qeveria “nuk investon në dijen, nxënësit dhe mësuesit, por në propagandë”.

Ajo nënvizoi se në 10 vitet e fundit vendi ka humbur 112 mijë nxënës, çka e interpretoi si tregues të shpopullimit dhe dështimit të politikave arsimore. Ibraj përmendi gjithashtu problemet e mungesës së infrastrukturës, duke përfshirë çerdhet, kopshtet dhe shkollat, si dhe faktin që shumë institucione arsimore vazhdojnë me dy turne. Ajo pohoi se “më shumë se gjysma e shkollave nuk kanë internet” dhe se sipas raportit PISA, “60% e fëmijëve shqiptarë janë analfabetë funksional”.
Në deklaratë, Ibraj kritikoi edhe premtimet e Kryeministrit për laboratorë “smart”, të cilat i quajti “projekte fantazmë”, duke argumentuar se terreni tregon një situatë “emergjente”.
Një tjetër pikë e fortë e reagimit të saj ishte gjendja e mësuesve, të cilët, sipas saj, “janë harruar”, me paga që nuk janë rritur prej 7 vitesh, mungesë trajnimesh dhe politizim të sistemit.
Ndërkohë, Ibraj tha se arsimi profesional është “në krizë”, pasi vetëm 0.17% e PBB-së i dedikohet këtij sektori, ndërsa investimet shkojnë kryesisht për administratën. Sipas saj, në shumë zona nxënësit detyrohen të udhëtojnë larg për të ndjekur shkolla profesionale.
Edhe arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor, tha ajo, janë “lënë në mëshirë të fatit”, me vetëm 0.06% të PBB-së të dedikuar kërkimit shkencor, shumë larg mesatares europiane prej 2.2%.
Ibraj e përmbylli deklaratën duke e cilësuar projektbuxhetin si “dëshmi të dështimit të qeverisë”, ndërsa kërkoi një buxhet real për arsimin, reforma të thella në shkollat publike, investime serioze në arsimin profesional dhe në universitetet, si dhe masa konkrete për sigurinë e fëmijëve.
Deklarata e plotë:
Projektbuxheti i qeverisë për 2026 është një herë tjetër një buxhet për klientët e pushtetit, PPP-të dhe interesat e një grushti njerëzish, jo për qytetarët, jo për të rinjtë dhe jo për të ardhmen e vendit.
Arsimi nuk është prioritet. Vetëm 2.5% e PBB-së shkon për arsim, shumë poshtë mesatares europiane prej 5% dhe shumë larg premtimeve të Kryeministrit. Ky është një tregues i qartë: qeveria nuk investon në dijen, në nxënës dhe në mësues, por vetëm në propagandë dhe fasadë.
Në 10 vitet e fundit, Shqipëria ka humbur 112 mijë nxënës, një shenjë e qartë e shpopullimit dhe e dështimit të politikave arsimore. E kjo jo pa arsye.
Situata në arsimin parashkollor, bazë dhe të mesëm është dramatike: mungojnë çerdhe, kopshte dhe shkolla të sigurta. Në lagjen e Astirit, 70 mijë banorë nuk kanë shkollë.
Shumë shkolla funksionojnë me dy turne, laboratorët janë të pakët, dhe më shumë se gjysma e shkollave nuk kanë internet. 60% e fëmijëve shqiptarë janë analfabetë funksional, sipas raportit PISA.
Në këtë situatë, Kryeministri premton laboratorë “smart” dhe projekte fantazmë, ndërkohë që realiteti në terren është emergjent.
Mësuesit janë harruar. Pagat nuk rriten prej 7 vitesh, trajnimet mungojnë, dhe sistemi është politizuar. Ata janë kthyer në “ushtarë” elektoralë, ndërkohë që detyra e tyre fisnike është të edukojnë brezat e ardhshëm.
Arsimi profesional është në krizë. Vetëm 0.17% e PBB-së i shkon këtij sektori, dhe shumica e fondeve shkojnë për administratën, jo për laboratorë, pajisje apo cilësi mësimore. Nxënësit detyrohen të udhëtojnë orë të tëra jashtë vendit për të ndjekur shkolla profesionale.
Arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor janë lënë në mëshirë të fatit: vetëm 0.06% e PBB-së për kërkime shkencore, ndërkohë që mesatarja europiane është 2.2%. Universitetet kthehen në gjimnaze, pa mundësi zhvillimi, inovacioni ose pavarësi reale.
Ky është një buxhet që dëshmon dështimin e plotë të qeverisë, arsimi, siguria e fëmijëve dhe të ardhmen e vendit, nuk kanë asnjë prioritet.
Ne nuk mund të heshtim. Nxënësit, mësuesit dhe prindërit meritojnë më shumë. Shqipëria nuk mund të zhvillohet me një qeveri që investon vetëm te klientët e pushtetit. Koha për të ndryshuar, për të mbrojtur fëmijët dhe për të ndërtuar një të ardhme të vërtetë për vendin tonë.











