Erion Veliaj, i arrestuar si i dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash, u ka vënë mbi kurriz shqiptarëve fatura shumë të majme.
Përveç dosjes “5D”, ku drejtorët e tij grabitën miliona nga paratë publike, përveç inceneratorëve, që shqiptarët vijojnë ende të paguajnë para, edhe pse ai i Tiranës nuk ekziston dhe ai i Elbasanit e Fierit janë thjesht kazanë me naftë, përveç humbjes së jetës së Ardit Gjoklajt, shqiptarët po paguajnë sot 110 milionë eurot për dosjen “Becchetti”, për llogari të Erion Veliajt.Gjithçka në dosjen “Becchetti” në Strasburg fillon me mesazhet shantazhuese të Erion Veliajt.

Ky i fundit i ankohej për faktin pse ishin publikuar pamjet nga dasma e tij me Ajolën në kalanë e Gjirokastrës.
“Shoh grup xhirimin e Agonit në Gjirokastër. S’e kuptoj pse po ma bëni këtë, mendova se e latë marrinë me herën e fundit! Nuk e dua! Jam absolut te kjo! Thuaj atij që do bëjë armiq gjithë qeverinë pa shkak! Është private dreqi ta hajë, respektojeni se po më del nga hundët ky muhabet me ju!”, thuhej në mesazhet e publikuara gjatë asaj kohe kur shpërtheu skandali.











