Ka përfunduar seanca gjyqësore për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 11 mars 2024, ku u vra 20-vjeçari Grei Bihuci në qendër të qytetit të Fierit. Mesditën e sotme, Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier shpalli vendimin për autorët e ngjarjes, në një seancë të zhvilluar nën masa të rrepta sigurie.

Trupi gjykues përbëhej nga kryetari Genci Busho dhe anëtarët Vladimir Cjapi dhe Elira Hroni, ndërsa prokuror i çështjes ishte Petrit Vukaj. Të pandehurit, Florian Muka dhe kushëriri i tij 16-vjeçar, KM, u mbrojtën nga avokati Ervis Goxhaj.

Gjatë seancës, pas shqyrtimit të dosjes dhe dëshmive të mbledhura në fazën hetimore, prokurori Vukaj kërkoi shpalljen fajtor të të akuzuarve. Për Florian Mukën u kërkua një dënim prej 25 vitesh burg, ndërsa për të miturin KM – 12 vjet.

Në mbrojtje të klientëve, avokati Goxhaj deklaroi se Florian Muka ka pranuar autorësinë e krimit, por se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes. Ndërkohë, i mituri KM ka pohuar se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit, por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim aktiv në kryerjen e vrasjes. Të dy të akuzuarit kërkuan falje dhe shprehën pendesë për ngjarjen.

Në përfundim, Florian Muka u dënua me 12 vjet burg për veprën penale të “vrasjes me dashje”, sipas nenit 76 të Kodit Penal, duke përfituar ulje dënimi për shkak të pranimit të fajësisë dhe pendesës. Ndërsa i mituri KM u dënua me 1 vit burg për veprën penale të “moskallëzimit të krimit”, dënim që e ka shlyer gjatë paraburgimit, duke u liruar menjëherë pas shpalljes së vendimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts