Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes në fshatin Tale të Lezhës, ku është vrarë me armë zjarri 57-vjeçari Pjetër Kaza. Trupi i pajetë i viktimës është gjetur nga familjarët brenda automjetit të tij, në momentin që po parkonte në oborr, duke u kthyer nga puna.

Pjetër Kaza punonte në turnin e natës në minierën e Spaçit, në Mirditë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, pista kryesore e dyshuar për këtë vrasje është hakmarrja.

Kaza është vëllai i Agustin Kaza, i cili u ekzekutua më 28 prill 2024 në Belgjikë. Sipas autoriteteve, kjo vrasje mund të jetë pjesë e një sage të gjatë hakmarrjeje mes dy familjeve, që daton prej vitit 1994.

Kronologji e përgjakshme hakmarrjeje:

1994 – Në Rrëshen vritet Ndue Kaza, shef i Krimeve, i qëlluar me armë zjarri në mes të qytetit. Autorët e dyshuar janë Dod Gjini dhe Augustin Gjini, të cilët u arratisën pas ngjarjes. Dyshohet se krimi ndodhi pasi efektivi ndërhyri për të ndalur një konflikt.

1997 – Në qytetin e Laçit, Martin Kaza, për hakmarrje, ekzekuton vëllezërit Dod dhe Augustin Gjini, të dyshuarit për vrasjen e vëllait të tij.

2001 – Gjykata e Kurbinit shpall fajtor në mungesë Martin Kazën për vrasjen e dyfishtë dhe e dënon me 22 vite burg.

Ngjarja e fundit në Tale mund të jetë një tjetër hallkë në këtë zinxhir hakmarrjeje që ka zgjatur mbi tre dekada. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts