Me çfarë u qëlluan protestuesit? Tregojnë shenja ndryshe nga gazi, përplasje para Ministrisë së Arsimit, raportohen të lënduar

Përplasjet mes studentëve protestues dhe forcave të policisë janë përshkallëzuar para Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku ndaj protestuesve është përdorur gaz dhe ujë me autobotë.
Gazetarja e A2 CNN Fjorela Beleshi raportoi se policia po gjuan në drejtim të protestuesve, por jo me gaz dhe disa protestues janë ankuar se janë lënduar dhe dëmtuar. Sipas raportimeve, dyshohet se mund të jetë qëlluar me plumba gome.
“Policia po gjuan në drejtim të studentëve, të protestuesve, por jo me gaz dhe disa protestues janë ankuar se janë lënduar dhe dëmtuar. Një prej tyre e pamë edhe në pamje, teksa pamë po ashtu edhe efektivët e policisë të cilët qëndrojnë pas murit dhe godasin. Unë e përmenda armën pak më parë ë me të cilën po qëllohej në drejtim të protestuesve dhe me gjasë janë plumba gome siç e pamë edhe nga shenja në trup, por mbetet për tu konfirmuar edhe më vonë se çfarë është përdorur, se gaz edhe ujë po përgjatë paradites së sotme. Megjithatë do të shohim nëse do qëllohet edhe në vazhdim apo jo”, përcolli Denisa Pasholli, raportimin e gazetares Fjorela Beleshi.
Në terren janë parë dy autobotë të policisë, ndërsa efektivët kanë avancuar drejt protestuesve, duke shtyrë turmën përtej hapësirës së krijuar më herët me kazanë mbeturinash dhe kangjella. Gjatë ndërhyrjes janë raportuar edhe shoqërime të protestuesve.
“Është hedhur gaz dhe ujë drejt protestuesve dhe ka pasur një mësymje të organizuar të policisë e cila vazhdon dhe del nga rrugicat e Ministrisë së Arsimit për të shkuar drejt protestuesve. Kanë filluar të bëjnë disa nga shoqërimet, arrestimet, nuk e di, sepse vala e protestuesve është shtyrë tashmë në dyfishin e hapësirës që kishin krijuar ata përmes kazanëve të mbeturinave dhe patjetër atyre si të thuash kangjellave që kishin shkëputur nga anët e trotuareve për të krijuar një lloj kufiri midis policisë, forcave të policisë dhe protestuesve. Nga ana tjetër nuk është më tashmë vetëm një autobot i cili ka shtyrë pjesën e turmës, por edhe autoboti tjetër që ka mbërritur nga rruga e Durrësit dhe që ishte i pozicionuar është në mes të rrugës kundër protestuesve të cilët duket se janë shtyrë thuajse dy rrugica më tutje nga Ministria e Arsimit, në një aksion i cili ka ardhur nga të dyja anët e policisë si nga ana e rrugës së Durrësit po ashtu dhe nga rrugica nga pjesa anësore e Ministrisë së Arsimit”, raportoi gazetarja Luela Myftari. /A2





