Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në autostradën Fier-Lushnje, pranë fshatit Saver. Në aksident janë përfshirë dy automjete, ndërsa si pasojë e përplasjes kanë mbetur të plagosur 7 persona, të cilët janë transportuar për mjekim në Spitalin e Lushnjës. Tre prej të plagosurve ndodhen në gjendje më të rënduar.
Një nga automjetet e përfshira në aksident është një furgon tip Benz i një kompanie udhëtimesh, që po transportonte pasagjerë drejt aeroportit të Rinasit. Gjatë një parakalimi, furgoni është goditur nga pas nga një mjet tjetër tip Benz AMG. Si pasojë e përplasjes së fortë, mjeti që shkaktoi aksidentin është përfshirë nga flakët.

Në vendngjarje ndodhet policia, e cila po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.









