Besnik Koçiu, 52 vjeç, i arrestuar më 12 korrik 2025 për dyshime mbi një plagosje me armë sportive, ndërroi jetë vetëm pak ditë pasi u dërgua në paraburgimin 313 në Tiranë.
Më 15 korrik, Gjykata e Tiranës caktoi për të masën e sigurisë “arrest me burg”, pavarësisht pretendimeve të avokatit dhe dokumentacionit mjekësor që tregonte se Koçiu vuante nga probleme serioze shëndetësore, mes tyre ishemia, diabeti dhe pasoja nga një goditje në tru.
Familjarët e tij akuzojnë se Koçiu u mbajt në izolim dhe nuk mori ndihmën e parë, edhe pse për disa orë kishte shfaqur shqetësime serioze shëndetësore.
“Ka pasur shumë probleme. Nuk duhej të rrinte asnjë orë në paraburgim. E lanë aty dhe nuk morën asnjë masë. I kemi dorëzuar dokumentacionin, por nuk u mor parasysh,” tha motra e tij, Eranda Sejdini.Edhe vëllai i të ndjerit, Maksim Koçiu, akuzoi gjykatën dhe autoritetet e burgut për neglizhencë: “Nuk i dhanë asnjë ndihmë. Përgjegjësia fillon nga gjykata dhe vazhdon te ata që ishin kompetentë aty.”
Familja ka depozituar një kallëzim penal në prokurori dhe kërkon hetim të plotë, hapjen e kamerave të paraburgimit dhe ndëshkimin e personave përgjegjës.
“Ne nuk do të ndalemi pa gjetur të drejtën e vëllait. Duam kamerat, duam dosjen, duam përgjegjësi. Të dimë pse dhe si ndërroi jetë,” tha vëllai i tij.
Koçiu ndërroi jetë më pak se 10 ditë nga momenti i arrestimit, duke hapur debate mbi trajtimin e të paraburgosurve me probleme të rënda shëndetësore./oranews.tv