Në Baltëz të Fierit është zhvilluar paraditen e sotme ceremonia përkujtimore me rastin e 2-vjetorit të rënies në krye të detyrës të efektivit të policisë, Novruz Cenalia.
Në këtë ceremoni, të mbushur me ndjenjë respekti dhe dhimbjeje, morën pjesë drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Erjon Ahmeti, kolegë dhe punonjës të Policisë së Shtetit, si dhe të afërm e familjarë.

Në nderim të veprës dhe jetës së tij, pjesëmarrësit vendosën kurora me lule pranë varrit të efektivit Cenalia, duke përkujtuar jo vetëm aktin e tij të sakrificës, por edhe vlerat njerëzore dhe profesionale që e karakterizonin.
Drejtori Ahmeti bëri të ditur për familjarët se, në këtë 2-vjetor, efektivit Cenalia i është akorduar statusi “Dëshmor i Atdheut”, duke theksuar se sakrifica e tij do të qëndrojë përherë në piedestalin më të lartë të Policisë së Shtetit.
Cenalia u vra mesditën e 13 majit 2024, gjatë ushtrimit të detyrës, pasi ndaloi një automjet dhe i kërkoi drejtuesit të respektonte rregullat e qarkullimit. Autori i krimit, Azgan Merrnica, reagoi me armë zjarri duke e qëlluar për vdekje efektivin e policisë.
Ngjarja u konsiderua një sulm i rëndë ndaj uniformës së shtetit dhe rendit publik, ndërsa autori i vrasjes po vuan dënimin me 35 vite burg në IEVP Fier, një vendim që shkaktoi reagime të forta në opinionin publik.
















