Aksident tragjik në Bullgari, 11 viktima dhe 50 të plagosur nga përplasja e dhjetëra automjeteve

Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të marte në Bullgari, ku të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe 50 të tjerë janë plagosur. Rreth 50 automjete, mes tyre makina, kamionë dhe autobusë, janë përfshirë në përplasje zinxhir në autostradën Trakia, në juglindje të vendit.
Sipas autoriteteve, aksidentet kanë ndodhur në të dyja drejtimet e autostradës, ndërsa shkak i dyshuar është mjegulla e dendur, e cila ka kufizuar ndjeshëm shikueshmërinë. Disa automjete janë përmbysur, ndërsa të tjera kanë dalë nga rruga.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e policisë, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës për të shpëtuar personat e bllokuar në automjetet e dëmtuara. Të plagosurit janë transportuar në spitale, ndërsa qarkullimi në autostradë është ndërprerë.
Autoritetet bullgare kanë nisur veprimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, ndërsa bilanci i viktimave mund të ndryshojë me vijimin e operacioneve të shpëtimit.







