Xhoana Vraniçi

Prej muajsh Qeveria ka nisur një proces vlerësimi për skemën aktuale të pensioneve, por ajo që mund të thuhet me siguri deri në këtë pikë të procesit, është që do të rishikohen pensionet e ulta, nën 150 euro. Por, cili është impakti që do të sjellin këto ndryshime dhe cilat janë kategoritë që do preken? Duke ju referuar të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, janë mbi 140 mijë persona, që aktualisht marrin një pension më pak se 150 euro në muaj. Këtu përfshihen pensionet në zonat rurale si edhe pensionet familjare në zonat urbane.

Konkretisht, deri në fund të vitit 2023 në skemën e pensioneve rezultonin rreth 705 mijë qytetarë, nga të cilët 608 581 pensione urbane dhe 96 418 pensione rurale. Në mënyrë të detajuar, nga 608 581 pensione urbane: 503 747 janë pensione pleqërie duke përfshirë këtu pleqëri të plotë, të reduktuar dhe të pjesshme. Për këtë kategori masa e pensionit shkon mesatarisht 18 341 lekë dhe bashkë me kompensimet që aplikohen, arrin në 19 922 lekë në muaj, raporton “SCAN TV”.

Ndërkohë, 60 956 janë pensione invaliditeti (nga sëmundje të përgjithshme, sëmundjet profesionale dhe aksidentet në punë) të cilët përfitojnë mesatarisht 18 851 lekë në muaj duke përfshirë këtu edhe kompensimet dhe pjesa tjetër, pra 43 878 persona trajtohen me pensione familjare. Për këta të fundit, pra për pensionet familjare në zonat urbane masa e përfitimit shkon në 8 558 lekë bashkë me kompensimet arrin 10 139 lekë.

Është pikërisht kjo kategori, që do të preket nga rritja e pensionit dhe me ndryshimet që do të finalizohen vitin e ardhshëm, pensionet familjare në zonat urbane nuk do të jenë nën 150 euro, duke nënkuptuar këtu një rritje mesatare me rreth 5 mijë lekë.

Pensionet rurale

Ndërkohë kategoria tjetër që preket në tërësinë e saj janë pensionet në zonat rurale. Janë 96 418 persona në skemë, nga të cilët 86 902 trajtohen me pensione pleqërie (pleqëri e plotë dhe e pjesshme), 5 636 me pensione invaliditeti dhe 3 880 me pensione familjare. Referuar ISSH-së, për pensionet e pleqërisë në fshat masa e përfitimit bashkë me kompensimet arrin në 11 576 lekë. Për pensionet e invaliditetit, 9 201 lekë ndërsa për pensionet familjare, 2 408 lekë. Në këto kushte, shtesa për këtë kategori pritet të variojë nga 4 mijë deri në rreth 13 mijë lekë në muaj.

Në total janë 140.296 pensionistë që do të përfitojnë nga shtesa e re, në përmbushje të angazhimit për të mos pasur më pensione nën 150 euro deri në vitin 2030. Por ky është vetëm një prej aspekteve që do të rishikohet e që padiskutim përbën thelbin e kësaj reformë të re që do ndërmerret. Ndër ndryshimet e projektuara janë edhe ato që kanë të bëjnë me periudhën kontributive, që duhet të plotësohet për të marrë pension të plotë, skemën e kontributeve për të vetëpunësuarit në zonat rurale si edhe trajtimet suplementare.

Ministria e Ekonomisë jep detaje

Nga ana tjetër qeveria po përgatitet që të ketë një jetëzim dhe konkretizim të reformës së pensioneve. Ky është mesazhi i fjalës së Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja në Kongresin e Partisë Socialiste. Më tej ai theksoi se po punohet që mos të ketë më pensione nën 150 euro. “Duke filluar nga domosdoshmëria për një rritje më kuptimplotë të pensioneve se sa rritjet shumë të vogla të këtyre viteve. Por fatmirësisht sot, pikërisht ekonomia na ka krijuar më shumë mundësi se sa kishim deri dje, për të guxuar edhe me pensionet, të cilat padiskutim janë edhe pjesa më sfiduese e politikës ekonomike të një vendi në zhvillim si Shqipëria. Ne po punojmë për këtë dhe do të nisim të hedhim hapat e duhur, që në rrugën drejt Shqipërisë 2030 të mos ketë më pension nën 150 euro.

Reforma e re e pensioneve do të marrë rrugë vitin e ardhshëm dhe frutet e saj do të shihen padiskutim në dy deri tre vitet e ardhshme.” Sipas ministrit Gonxhja, vitin e ardhshëm pritet një reformë e re pensionesh. “Reforma e re e pensioneve do të marrë rrugë vitin e ardhshëm dhe frutet e saj do të shihen padiskutim në dy deri tre vitet e ardhshme. Gjithashtu së shpejti do të ndryshojë ndjeshëm edhe shërbimi i pensioneve dhe do të marrë fund praktika e çuarjes së pensioneve me zarfa nëpër shtëpi.” Banka Botërore dhe qeveria shqiptare po bëhen gati të vënë në jetë një reformë të re dedikuar pensioneve, ku përmes katër shtyllave kryesore synon të ketë më shumë qëndrueshmëri dhe të sjellë të ardhura më të larta për pensionistët.

Leave a Reply

Related Posts