Një grindje që ka nisur midis fëmijëve ka përfunduar me dy viktima në Kurjan të Roskovecit. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Kurjan të Roskovecit. Dy vëllezërit, Gramozi, 52 vjeç, dhe Vladimir Kurtaj, 46 vjeç, kanë mbetur viktima të një grindjeje që ka nisur ditën e djeshme midis fëmijëve.

Ndërsa kanë qenë në qendër të fshatit, në një lokal në pronësi të Gramoz Kurtaj, ka mbërritur për t’u sqaruar babai i njërit prej fëmijëve që ishin grindur, 49-vjeçari Altin Kuka.

Sipas dëshmive në vendngjarje, sherri ka arritur në sharje dhe përleshje fizike midis dy vëllezërve dhe autorit, që dyshohet se nuk ka qenë i vetëm. Ndërkohë, 49-vjeçari, i cili kishte dhe automjetin pranë, ka marrë një armë zjarri automatike dhe ka qëlluar drejt dy vëllezërve, njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë në vend, ndërsa tjetri në spitalin rajonal të Fierit.

Menjëherë pas ngjarjes, autori është vetëdorëzuar në komisariatin e policisë Fier, ku ka dorëzuar dhe armën e krimit. Ndërkohë, në fshatin Kurjan kanë mbërritur dhjetëra forca policie për të arrestuar edhe bashkëpunëtorët e mundshëm të autorit,si dhe për zbardhjen e shkaqeve,dhe për të shmangur një konflikt të mundshëm midis dy fiseve.

Për banorët e fshatit, kjo është një ngjarje ku shkaku nuk justifikon veprimin, ndaj dhe janë të tronditur, pasi ngjarje të tilla nuk kanë ndodhur kurrë në këtë fshat. Kujtojmë që vetëm dy ditë më parë, në një lokal në hyrje të qytetit të Roskovecit, një i mitur 15-vjeçar ka plagosur rëndë me thikë një 39-vjeçar për shkaqe fare banale./lajmipare.com

Leave a Reply

Related Posts