Në një vjetorin e ndarjes nga jeta të Martin Canit, ekipi i futbollit “EAGLE” ishte në shtëpinë e prindërve të tij për t’i dhuruar një fanelë me numrin 26. Një gjest për të kujtuar dëshirën e Martinit për tu bërë futbollist, por që për fat të keq ëndra e tij u ndërpre në mes.
Që futbolli bashkon njerëzit është pak por e sigurt. Madje ka edhe nga ato raste kur përcjell mesazhe emocionuese dhe sensibilizuese.
Skuadra e Eagle Football ka vizituar familjen e djaloshit “Te Artë” Martin Cani, me rastin e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të futbollistit të vogël.

Në këtë ditë të rëndësishme për familjen, stafi i kanë dhuruar prindërve të Martin Canit një fanellë simbolike me numrin 26, numër që i është dedikuar atij pasi edhe ekipi ka aktualisht 25 lojtarë në përbërje. Me këtë gjest, Martin Cani është konsideruar zyrtarisht lojtari i 26-të i skuadrës.
Drejtuesit kanë falënderuar prindërit, Engjell dhe Florina Cani, për mikpritjen e ngrohtë dhe kanë shprehur ngushëllimet e tyre për humbjen e tyre të pazëvendësueshme, duke e quajtur Martinin “një yll që ndriçon çdo natë mbi re”.
Madje edhe ndeshja e së dielës ndaj Tomorit të Beratit do të jetë një dedikim i veçantë në kujtim të Martin Canit, ndërsa kanë përcjellë mesazhin:
“I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!” shkruan presidenti i ekipit, Andi Matraxhiu në rrjete sociale.
Ëndra e Martin Canit ishte të bëhej futbollist, madje ishte pjesë e ekipeve të moshave. Por, për fat të keq, ëndra e tij u ndërpre në mes 1 vit më parë.











