Me më shumë se 200 role, e me një karrierë artistike prej 50 vjetësh në skenë, aktori i humorit, Edmond Halili, muaj më parë është nderuar me çmimin ”Mjeshtër i Madh” nga presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Të gjithë e njohim si aktorin e humorit, të talentuar e popullor, shkodranin që jeton prej 20 vjetësh në Durrës, ai që ngjiten në skenë, e na bën të harrojmë hallet e jetës së përditshme. Por askush si ai, nuk e ka provuar brenda shpirtit të tij se çdo të thotë të të pushkatojnë vëllanë në kufi, në lule të rinisë, dhe t’ju ndalohet hapja e dyerve të mortit.
”Asnjë ditë zi, vëllanë e pushkatuan, ne të gjithë në punë, të gjithë si familje na dërguan në ndërtim, në punët më të vështira. Nuk jua mbajta dot amanetin prindërve, askush nuk na e tregon ku u varros vëllai dhe shoku i tij atë ditë të 18 gushtit të 1983”, tha ai, kohë më parë, në një intervistë për gazetaren e “BalkanWeb” dhe “News24”, Klodjana Haxhiaj.
Vëllain e vranë dhe Mondin e dërguan të shuajë gëlqere çdo ditë nga mëngjesi deri në mbrëmje, e më pas është ngjitur në skenë për të bërë publikun të qeshë.
Mondi i përket brezit të humoristëve të Muharrem Hoxhës e Roland Kocës, me të cilët ka ndarë jetën artistike si humorist profesionist në teatrin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës. E nisi aktrimin në moshën 14-vjeçare në Shkodër, aty ku humori është në gjen të çdo qytetari e prej pak kohësh ka dalë në pension. ”Jam mirë me shëndet, për aq kohë as nuk blej ilaçe, pensioni më del”, shprehet me batutat, që për asnjë moment nuk i largohen.
Aktori i humorit rrëfen edhe pengun e madh të jetës së tij, në intervistën për “BalkanWeb” dhe “News24”. Prind i dy djemve, askush si ai nuk e ka përjetuar dhimbjen që për asnjë ditë të vetme të mos kesh mundësi të vajtosh e të mbash zi për vëllanë 25-vjeçar, të pushkatuar në kufi, në tentativë për t’u larguar nga vendi i zhytur në mjerim e skamje.
Në 17 gusht, vëllai i tij Tristani bën plot 42 vjet që u pushkatua në kufij, në moshën 25-vjeçare, në kufirin me Malin e Zi, në tentativë për t’u larguar nga vendi, dhe që atëherë, nuk ka mundur dot t’i bëjë një varr vëllait. Për asnjë ditë nuk i hapën dyert e mortit, për asnjë ditë nuk u veshën as nëna e as motrat e tij me të zeza, ndërsa kalvari i vuajtjeve të të gjithë familjes ishte i madh, deri në mbërritjen e demokracisë.
Së bashku me Guljelm Radonë, ata ishin dy aktorët shkodranë të spikatur të teatrit “Aleksandër Moisiu”. Shumë dhimbje ka lënë largimi i parakohshëm i Guljelmit te Mondi, që në rrugët e qytetit të Durrësit është natyralizuar në durrsak, duke lënë mënjanë biçikletën, e shëtitur në këmbë./(BalkanWeb)