Politikë

Zjarret në Levan / Gentian Koçi: Pranë banorëve në orët më të vështira, shteti të investojë te zjarrfikësit dhe të dëmshpërblejë qytetarët

Nisur nga situata tejet kritike për shkak të zjarreve masive në Levan, si dhe nga interesi i madh publik e mediatik, dua të ndaj me ju angazhimin tim në këto orë të vështira për banorët e kësaj zone.

Kam qenë aty që në orët e para, pranë njerëzve që më kontaktuan dhe kishin nevojë për ndihmë. Mundësitë tona për të ndërhyrë ishin të kufizuara, por më e rëndësishmja ishte të mos i linim banorët vetëm në ato çaste dramatike.

As që më shkoi ndër mend të publikoja video apo fotografi, sepse besoj se, në situata të tilla, e gjithë vëmendja duhet të përqendrohet tek emergjenca dhe njerëzit e rrezikuar, jo tek interesi politik apo mediatik.

Nuk dua të paragjykoj shkaqet e zjarreve dhe as përgjegjësitë për to. Nëse kanë qenë të qëllimshme apo aksidentale, u takon organeve kompetente ta hetojnë dhe ta bëjnë të vërtetën publike.

Dua të shpreh mirënjohjen time për forcat zjarrfikëse, punonjësit e Policisë së Shtetit dhe drejtuesit e tyre vendorë, të cilët u përballën pa ndërprerje me këtë situatë kritike. Ata dhanë maksimumin, duke rrezikuar edhe jetën e tyre për të mbrojtur qytetarët dhe pronat e tyre.

Ajo që lë shumë për të dëshiruar është qasja e qeverisë ndaj shërbimit zjarrfikës. Këta punonjës janë lënë në mëshirë të fatit, me mungesë pajisjesh, mjetesh dhe investimesh, ndonëse kryejnë një detyrë me rrezikshmëri shumë të lartë dhe me rëndësi jetike për komunitetin.

Uroj që situata të tilla të përsëriten sa më rrallë. Ngjarje të tilla duhet të shërbejnë si një alarm i fortë për shtetin dhe drejtuesit e tij. Fondet e akorduara për sigurinë dhe pajisjen e zjarrfikësve nuk duhet të shpërdorohen apo të vidhen, siç ndodh fatkeqësisht me shumëçka tjetër në këtë vend.

Këto fonde duhet të investohen aty ku shpëtojnë jetë. Zjarrfikësve nuk duhet t’u mungojnë as mjetet më elementare, sepse shteti ka detyrimin t’u krijojë kushtet e nevojshme për të kryer detyrën dhe të mos i dërgojë të pambrojtur përballë flakëve.

Uroj që kjo situatë të kalojë sa më shpejt dhe të mos ketë pasoja të tjera për banorët e prekur. Njëkohësisht, shteti duhet të marrë masa konkrete për evidentimin dhe rikuperimin sa më të shpejtë të dëmeve, në mënyrë që qytetarët t’i rikthehen normalitetit.

Partia Demokratike Dega Fier, i ka dyert e hapura për çdo qytetar të prekur. Ata mund të paraqesin shqetësimet e tyre për mënyrën se si po menaxhohet situata, si edhe çdo problem apo nevojë me të cilën po përballen.

Me respekt,
Gentian Koçi

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button