Rama: Gjykata i ka cilësuar të ligjshme arrestimet, do ulim moshën e dënimit penal. Kush shkatërron, do paguajë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ditën e sotme lidhur me protestat e dhunshme që po zhvillohen prej disa ditësh në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij, Rama i cilësoi sulmet e protestuesve si një luftë hibride që sipas tij po organizohet nga duar të stërvitura për këtë punë, me qëllim marrjen e pushtetit me dhunë, gjë e cila sipas kryeministrit s’ka për të ndodhur kurrë.
“Jemi këtu në këtë institucion që është bërë objekt i sulmit dhe në fakt i një agresioni të vërtetë me gurë të shkulur nga trotuaret e rrugës së Durrësit. Është vendosur në qendër të vëmendjes vetëm për një arsye, për të kamufluar ç’ka në të vërtetë është në burimin e helmuar të kësaj proteste. Për të krijuar idenë që kjo është një protestë për arsimimin dhe për të justifikuar këtë valë dhune që s’ka të bëjë as me nxënësit e as me studentët. Brenda atij grupi ka edhe studentë që janë të ekstremizuar në pikëpamjet e tyre, që u përkasin rrymave të reja të ekstremizmit politik, por problemi nuk janë asnjëherë studentët që ushtrojnë të drejtën e protestës. Këtu flasim për ushtrimin e dhunës. Kam marrë këtë gurin në dorë dhe kur imagjinon peshën që ky merr kur gjuhet drejt trupave të Policisë, është një armë që mund të shkaktojë edhe një tragjedi. Ky gur përcakton ku mbaron e drejta e protestës”, tha mes të tjerash Rama.
“Gjykata i ka konsideruar arrestimet, e ligjshme. Prindërit nuk do mbeten jashtë kësaj përgjegjësie, për të paguar dëmet që bëjnë fëmijët e tyre. Kjo nuk shkon kështu.
Është i mitur dhe nuk duhet të mbajë përgjegjësi. Ky është instrumenti i forcës së shtetit. Na duhet instrumenti i këmbënguljes së shtetit”, theksoi ai.
Kryeministri tha se po punohet për një paketë masash.
“Në çdo rast dhe për çfarëdo arsye që kërkohet komunikim me mua apo me qeverinë, ne jemi aty dhe jemi gati. Unë përcjell çdo mesazh që më vjen, te ministrat. Jo më pastaj të dëgjoj ata që kanë nevojë të më thonë atë që mendojnë.
Le të hapim këtë diskutim, jam i gatshëm pa kushte të dëgjoj këdo dhe kudo. Por me këtë nuk ka shans, kur përdor këtë, mundësitë i ka dy, ose të shpëtojë falës maskës ose këmbëve të shpejta, ose të përgjigjet para ligjit. Po punojmë për një paketë masash, kush shkatërron duhet të paguajë”, theksoi ai.







