Politikë

Gentian Koci kandidon për kreun e PD Fier: “Jo për të administruar humbjet, por për të përgatitur fitoren”

Pas pak ditësh, demokratët e Fierit pritet të hyjnë në procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri të degës së Partisë Demokratike. Në këtë garë ka zyrtarizuar kandidaturën e tij edhe Gentian Koci.

Përmes një postimi në Facebook, Koci shprehet se kandidatura e tij nuk vjen nga dëshira për një post, por nga bindja se dega e PD Fier duhet të funksionojë ndryshe, duke qenë më pranë anëtarësisë dhe komunitetit.

Koci thekson nevojën për një proces që rikthen besimin dhe bashkon demokratët, ndërsa nënvizon se gara duhet të zhvillohet me dinjitet dhe respekt.

Më poshtë, postimi i plotë i Gentian Kocit:

“Pas pak ditësh, demokratët e Fierit pritet të hyjnë në procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri të degës.

Partia Demokratike e Fierit nuk ka nevojë për një garë që prodhon fitues dhe të mundur brenda familjes sonë politike.
Ka nevojë për një proces që rikthen besimin dhe na bën të gjithëve më të fortë përballë kundërshtarit të vërtetë.

Kandidatura ime nuk lind nga dëshira për një post. Lind nga bindja se dega jonë mund dhe duhet të funksionojë ndryshe: më e hapur, më pranë anëtarësisë dhe më e pranishme në çdo lagje, fshat e komunitet të Fierit.

Kam respekt për cilindo që merr përgjegjësinë të hyjë në këtë garë. Por demokratëve nuk u mjaftojnë më fjalët e bukura dhe premtimet për bashkim. Bashkimi provohet me sjellje, me respekt, me përfshirje dhe me garanci se askush nuk do të përjashtohet vetëm sepse mendon ndryshe.

Unë kërkoj besimin e demokratëve për të ndërtuar një degë ku vendimet nuk merren nga një rreth i ngushtë, ku kontributi nuk matet me miqësi personale dhe ku dera nuk hapet vetëm në prag zgjedhjesh.

PD Fier duhet të rikthehet në shtëpinë e çdo demokrati dhe në shpresën e çdo qytetari që kërkon ndryshim.

Kjo është arsyeja pse jam në këtë garë.
Jo kundër dikujt, por në krah të çdo demokrati.
Jo për të administruar humbjet, por për të përgatitur fitoren.

Le ta zhvillojmë këtë garë me dinjitet dhe ta mbyllim më të bashkuar se sa hymë në të.

Fjalën e kanë demokratët e Fierit!”**

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button