“Edi Rama ka bërë gabime të rënda me pushtetin”, Braçe: Kam prishur një plan të poshtër brenda politikës

Deputeti socialist Erion Braçe ka vijuar kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se e ka pasur të vështirë të ndajë pushtetin dhe të mbajë përgjegjësi për gabimet e bëra gjatë qeverisjes. Në reagimin e tij, Braçe thekson se Rama duhet t’i pranojë gabimet si përgjegjësi personale dhe të mos ia faturojë ato vetëm ministrave apo drejtuesve që ka pasur pranë.
Braçe shprehet se kryeministri e ka përdorur pushtetin për të sjellë ndryshime pozitive, por edhe e ka shpërdoruar atë përmes emërimeve të personave që, sipas tij, nuk kanë qenë të denjë për detyrat e tyre. Ai kërkon që pushteti të mos trajtohet si pronë personale, por të ndahet në përputhje me Kushtetutën, duke respektuar pavarësinë dhe funksionimin e institucioneve.
” Edi Rama e ka të lehtë të njoftojë rrugën time ose siç thonë disa rreth tij se çfarë më pret mua. Por unë mendoj që e ka të vështirë të lëshojë pushtet. Ai është i dashuruar me pushtetin, fuqinë e autoritetin që ai jep; e ka përdorur për mirë shpesh duke bërë mirë e sjellë ndryshime të mëdha në këtë vend; e ka deleguar po për mirë, siç e ka shpërdoruar në mënyrë të përsëritur në ministra e drejtorë të padenjë; ka bërë gabime-të rënda disa, që duhet t’i pranojë nominalisht si të tijat, jo thjesht si të të gjithë atyre që nuk paskan qenë të denjë përkrah tij, në rrugën e tij. Të marrë e mbajë përgjegjësi. Të japë një shenjë që pushtetin nuk e ka personal, nuk e ushtron si të tijin, por e ndan siç kushtetuta e ka caktuar, me pushtete të tjera të ligjshme e sovrane, të pavarura e që duhet të jenë funksionale, deri në fund, të pacenuara apo përgjysmë si vullnet disiplinues i mazhorancës të zbehur në njoftime, qoftë edhe si hartë.”, shprehet Braçe.
Reagimi i deputetit vjen pas votës së tij pro Hartës së re Territoriale, për të cilën ai ka sqaruar se nuk ishte një mbështetje personale për Ramën, por një zgjedhje për të vijuar punën si deputet dhe për të kërkuar një reformë të mirëfilltë të pushtetit vendor.
Braçe pretendon se vendimi i tij ka prishur një plan të brendshëm politik, të cilin e cilëson si “të poshtër”, ndërsa kundërshton përdorimin e disiplinës partiake për të kufizuar qëndrimet e deputetëve.
“Nuk di në keni parë tjetër që të sulmohet e të qëndrojë, të linçohet e të rrijë përballë, t’i shkojnë atje ku jeton e atje ku punon-po bën punën, dhe të dëgjojë e përgjigjet, me kosto shumë të madhe personale e familjare; keni parë? Ndaj vendosa të rri dhe të bëj punën. E di që kam prishur një plan që politika e ka të sajin, të brendshëm, të poshtër, të përhershëm, por nuk mund të bëj pa të, ndaj për Nesti numëruesin dhe numëruesit e tjerë unë jam 85-a, 84-a ishte aty për planin“, tha ndër të tjera Braçe.





