“52 të dyshuar për përfshirje në veprime të dhunshme”/ Hita në konferencën për shtyp: Janë identifikuar personat e maskuar në protestë!

Policia e Shtetit ka identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në veprime të dhunshme gjatë protestave të javëve të fundit, kështu raportoi kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Ai deklaroi se materialet për personat e identifikuar i janë referuar Prokurorisë. Sipas tij, personat e dyshuar janë identifikuar pavarësisht përpjekjeve për të fshehur identitetin, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rasteve të dhunës dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
“Janë identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në veprime të dhunshme, pavarësisht se janë munduar të fshehin identitetin. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë”, deklaroi Hita.
Gjatë komunikimit të tij, Hita iu drejtua edhe prindërve, duke u kërkuar të tregojnë kujdes dhe të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve të mitur në protesta ku mund të ushtrohet dhunë. Ai u bëri thirrje gjithashtu qytetarëve të shmangin çdo akt dhune dhe të distancohen nga personat që përfshihen në veprime të tilla.
“Dhuna nuk justifikohet dhe as do të mbrohet në emër të kësaj të drejte”, u shpreh Hita.
Në fund, ai iu drejtua edhe përfaqësuesve të medias, duke vlerësuar rolin e gazetarëve, operatorëve dhe fotoreporterëve gjatë protestave.
“Strukturat e Hetimit të Krimeve kanë intensifikuar punën për identifikimin e personave që kanë ushtruar dhunë. Janë identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në veprime të dhunshme, pavarësisht se janë munduar të fshehin identitetin. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë. Vijon puna për identifikimin e tyre dhe të çdo veprimi të dhunshëm gjatë javëve të fundit, që kanë vënë në rrezik jetën e policisë dhe qytetarëve.
Apel për prindërit: Tregoni kujdes që të mos lejojnë fëmijët e tyre të mitur të përfshihen në situata ku ushtrohet dhunë dhe në këto protesta. Qytetarët të shmangen nga çdo akt dhune dhe nga çdo person që ushtron dhunë. Policia mbetet e vendosur që të garantojë të drejtën e protestës ligjore dhe do të zbatojë parimin e proporcionalitetit për këdo që ushtron dhunë, që cenon pronën publike dhe private.
Dhuna nuk justifikohet dhe as do të mbrohet në emër të kësaj të drejte. Të nderuar gazetarë, Policia e Shtetit e konsideron median një partner të rëndësishëm. Gazetarët, operatorët, fotoreporterët kryejnë një mision fisnik. Është e domosdoshme të forcohet koordinimi në terren ndërmjet shërbimeve policore dhe punonjësve të medias, që të ushtrohet veprimtaria e gazetarëve dhe të sigurohet jeta e personave të pranishëm në protestë“, tha Hita.







