Ftesa simbolike/ Rama vendos stola guri dhe karrige druri para Kryeministrisë, fton sërish protestuesit në dialog

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur ftesën për dialog drejtuar studentëve dhe të rinjve që prej ditësh protestojnë në Tiranë. Përpara godinës së Kryeministrisë janë vendosur sërish një tavolinë e madhe prej guri, karrige druri dhe stola guri, mbi të cilat janë vendosur letra me mbishkrimin “Dialog”.
Kjo është iniciativa e dytë simbolike e kreut të qeverisë, pasi karriget e vendosura më herët u dëmtuan gjatë tensioneve me protestuesit.
Rama ka deklaruar se mbetet i hapur për bisedime me këdo që mendon ndryshe, duke theksuar se pakënaqësitë dhe problemet duhet të trajtohen përmes dialogut dhe jo dhunës.
“Ka 1001 pakënaqësi, halle e probleme, por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën. Çdo arsye është një argument më shumë për dialogun”, është shprehur kryeministri.
Megjithatë, protestuesit vijojnë të këmbëngulin në kërkesat e tyre dhe nuk kanë pranuar ftesën për bisedime. Ata e konsiderojnë nismën si një veprim propagandistik, ndërsa kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre dhe dorëheqjen e kryeministrit.
Protestave të studentëve u janë bashkuar edhe pedagogë e qytetarë, ndërsa tubimet vijojnë përpara Kryeministrisë.







