Vendi

Kërkon pafajësinë, Gjykata e Lartë cakton 10 dhjetorin për gjyqin e Saimir Tahirit, SPAK kërkon që ish-ministri i Brendshëm të dënohet me 12 vite burg

Gjykata e Lartë ka caktuar datën 10 dhjetor për shqyrtimin e çështjes së ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Relator i çështjes do të jetë gjyqtari Enton Dhimitri. Tahiri i është drejtuar Gjykatës së Lartë duke kërkuar pafajësinë, ndërsa Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka bërë gjithashtu rekurs, pasi nuk është pajtuar me dënimin e tij vetëm për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

SPAK kërkon që ish-ministri Tahiri të dënohet edhe për trafik narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, duke kërkuar një dënim prej 12 vitesh burg. Të dyja palët i kanë paraqitur rekurset në vitin 2022. Kujtojmë se Gjykata e Posaçme e Apelit e dënoi Tahirin me 5 vite burg për shpërdorim detyre, dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 3 vite e 4 muaj. Pas një periudhe në burg, ish-ministri u lirua me vendim të Gjykatës së Elbasanit, pa e përfunduar të gjithë dënimin, për shkak të rrethanave familjare. Tashmë, Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë rekurset e të dyja palëve, të cilat kërkojnë vendime të kundërta: Tahiri pafajësinë, ndërsa SPAK një dënim më të rëndë.

Saimir Tahiri e nisi ‘betejën’ e tij me drejtësinë në vitin 2017, kur kishte 4 vite ministër i Brendshëm, si ministri më jetëgjatë në atë dikaster. Organet e drejtësisë e vunë në shënjestër pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button