Dhjetëra banorë të fshatit Varibop, në njësinë administrative Cakran, protestuan paraditen e sotme për mungesën e ujit të pijshëm. Sipas tyre, prej fillimit të muajit maj, rubinetat furnizohen me ujë vetëm për rreth 10 minuta në ditë, një situatë që, siç thonë banorët, përsëritet çdo vit gjatë periudhës maj–tetor.
Të ndodhur në këto kushte, shumë prej tyre janë të detyruar të përdorin burimet natyrore të fshatit, të cilat po shterojnë, ose të blejnë ujë nga autobotët. “Kjo është një situatë e papranueshme, jemi taksapagues të rregullt dhe kemi të drejtën të furnizohemi me ujë”, shprehen ata me indinjatë.

> “Jemi ankuar shpesh për këtë problem, por asgjë nuk ka ndryshuar. Edhe pse gjatë fushatave elektorale na premtojnë zgjidhje, gjithçka mbetet vetëm në fjalë”, shprehen banorët.
Në protestë mori pjesë edhe një shtetas francez, banor i zonës, i cili kërkoi që fshatrat të trajtohen me prioritet, pasi mungesa e ujit ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e tyre.
Sipas banorëve, fshati furnizohet nga një depo e ndërtuar që në kohën e sistemit të mëparshëm, e cila tashmë nuk i përmbush më nevojat. Ata pretendojnë se investimet e fundit të ujësjellësit në këtë zonë, të kryera rreth pesë vite më parë, janë realizuar me tuba plastike të cilësisë së dobët.
> “Kërkojmë zgjidhje sa më parë, pasi kjo situatë po e bën shumë të vështirë jetesën tonë të përditshme”, u shprehën banorët në përfundim të protestës.
Nga ana tjetër, burime nga Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve Fier bëjnë me dije se fshati Varibop ka 241 abonentë që furnizohen me sasinë e nevojshme të ujit, por kërkesa e lartë gjatë verës po vështirëson furnizimin e rregullt.
Aktualisht, ujësjellësi po harton një plan masash për minimizimin e shpërdorimit të ujit të pijshëm, duke inspektuar të gjitha zonat në bashkëpunim me Task-Forcën.























