Pas agjërimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët myslimanë shqiptarë dhe ata në mbarë botën festojnë sot Fitër Bajramin, një ndër festat më të rëndësishme në kalendarin e fesë islame.
Që në orët e para të mëngjesit, edhe besimtarët në Fier kanë falur namazin në sheshin qendror të qytetit, ndërsa krerët myslimanë të Myftinia e Fierit kanë përcjellë urimet për paqe dhe harmoni mes njerëzve.

Ceremonia e faljes së Fitër Bajramit nisi në orën 06:30, ku dhjetëra besimtarë të grupmoshave të ndryshme kryen ritet e faljes së madhe dhe shkëmbyen mesazhe paqeje me njëri-tjetrin.
Në ligjëratën e tij, myftiu Mikel Hazizolli uroi dhe përshëndeti të gjithë besimtarët myslimanë, duke i ftuar të kontribuojnë më shumë për ndërtimin e një shoqërie sa më dinjitoze, më të paqtë dhe më solidare.
Falja e Fitër Bajramit vijon më pas në çdo familje fierake besimtarësh me drekat tradicionale familjare, si shpërblim për sakrificën përmes agjërimit gjatë 30 ditëve të Ramazanit.


















