Presioni i lartë i gjakut nuk prek më vetëm grupmoshën e tretë, por gjithnjë e më shumë edhe të rinjtë nën moshën 40 vjeç. Përveç obezitetit dhe jetës sedentare, faktorë të tjerë që rrisin rrezikun përfshijnë duhanpirjen dhe konsumimin e pijeve energjike.
Ky problem po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm, veçanërisht te të rinjtë që kanë një mënyrë jetese të pashëndetshme, me mungesë aktiviteti fizik dhe ushqyerje jo të balancuar. Në shumë raste, hipertensioni quhet “sëmundje e fshehtë”, pasi në rreth 50% të rasteve mund të mos shfaqë simptoma, duke e lënë pacientin të pavetëdijshëm për praninë e tij.
Edhe të rinjtë 18-19 vjeç po përballen me këtë problem, duke kërkuar ndihmë mjekësore. Prandaj, këshillohet kryerja e kontrolleve rutinë, si me mjekun e familjes ashtu edhe me specialistët e zemrës.
Ndër simptomat që nuk duhen neglizhuar përfshihen dhimbja e kokës, zhurmat në veshë, marramendja dhe humbja e ekuilibrit. Nëse nuk trajtohet siç duhet, hipertensioni mund të çojë në probleme serioze si diabeti, sëmundjet kardiovaskulare, dëmtimi i funksionit të trurit dhe veshkave.