Ethet e Nilit rikthehen në Shqipëri, miliona lekë shkojnë për luftën ndaj mushkonjave

Ethet e Nilit perëndimor kanë shënuar pacientin e parë në Shqipëri. I prekuri është një 72 vjeçar, në Korçë, i cili është shtruar Spitalin Rajonal.
Pickimet e mushkonjave të infektuara kanë ngritur në alarm ekspertët e shëndetësisë por edhe kanë prodhuar një “lumë” tenderësh të hapur nga institucionet shqiptare. Instituti i Shëndetit Publik ka hapur 14 procedura me vlerë gati 5 milionë lekë për dezinsektimin e vendit deri në fund të muajit të shkuar.
Fier, Lushnja dhe Vlora janë qytetet me numrin më të lartë të prokurorimeve të çelura për spërkatje, ndjekur nga Divjaka, Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Lezha.
Sipas ISHP, në Shqipëri janë të pranishme 43 lloje të ndryshme mushkonjash, një pjesë e së cilave sollën pas 30 vitesh, në 2024-n në Shqipëri sëmundjen e Etheve të Nilit Perëndimor.
Në maj të vitit 2014, Instituti i Shëndetit Publik nisi për herë të parë, pas më shumë se dy dekadash, operacionin për dezinsektimin e bregdetit. Pavarësisht burokracive të vogla, procesi vijoi deri në vitin 2020.
Pas kësaj për dy vite me radhë dezinsektimi mbeti peng i tenderëve që nuk arritën të mbyllen në kohë, për shkak të procedurave ankimuese nga kompanitë pjesëmarrëse. Një histori e përsëritur edhe në vitin 2019, e cila ka përfunduar në SPAK për shkelje të barazisë në tenderë.




