Nga 1 korriku deri më 12 shtator 2025, punonjësit e sektorit publik në Dubai do të përfitojnë nga një javë pune me katër ditë dhe orare më të shkurtra pune, si pjesë e iniciativës “Vera Fleksibël”.
Vendimi që shtrihet në të gjitha institucionet qeveritare të Dubait, synon të përmirësojë ekuilibrin punë-jetë, të rrisë produktivitetin e të përmirësojë jetën familjare gjatë muajve të verës. Ky hap e pozicionon Dubain si një nga qytetet e pakta në botë, që zbaton fleksibilitet pune në këtë shkallë.
Nisma vjen pas një pilotimi të suksesshëm në vitin 2024 në 21 institucione publike, i cili rezultoi me një rritje prej 98% në kënaqësinë e punonjësve dhe përmirësim të klimës së përgjithshme në vendin e punës.
Sipas modelit të ri, punonjësit ndahen në dy grupe: Grupi i parë punon nga e hëna në të enjte, 8 orë në ditë, me ditën e premte pushim – gjithsej 32 orë pune në javë. Grupi i dytë punon nga e hëna në të enjte 7 orë në ditë dhe 4.5 orë të premten – për një total prej 32.5 orësh në javë.
Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Burimeve Njerëzore të Qeverisë së Dubait, Abdullah Ali bin Zayed Al Falasi, deklaroi se kjo nismë tregon angazhimin e qartë të qytetit për të ndërtuar një mjedis pune të qëndrueshëm, fleksibël e të orientuar te njeriu.